Bashkëkryetarja e Listës Guxo, Donika Gërvalla, ka njoftuar se analisti dhe ekonomisti Viktor Buzhala i është bashkuar partisë në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Gërvalla e vlerësoi Buzhalën si një nga zërat më të spikatur të debatit të pavarur publik në Kosovë.
“Sot, Partisë Guxo iu bashkua Viktor Buzhala, një nga zërat më të artikuluar të mendimit kritik dhe i analizës ekonomike e politike në Kosovë”, ka shkruar Gërvalla.
Sipas saj, Buzhala është ekonomist i diplomuar, gazetar dhe analist politik me përvojë shumëvjeçare, i njohur për argumentimin racional, qëndrimet e drejtpërdrejta dhe guximin për të shprehur mendimin pa kompromis.
“Përmes paraqitjeve publike, debateve, shkrimeve dhe platformave digjitale, ai ka dhënë kontribut të rëndësishëm në formësimin e diskutimeve kombëtare mbi ekonominë, politikat publike dhe zhvillimin e vendit”, shtoi ajo.
Gërvalla theksoi se përfshirja e Buzhalës në listën e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, Alternativën dhe PShDK-në e forcon ekipin e profesionistëve të angazhuar në shërbim të vendit.
“Me Viktor Buzalën në listën e koalicionit tonë për Zgjedhjet e 28 Dhjetorit, së bashku me profesionistë të tjerë të guximshëm dhe luftëtarë të pakompromis për të vërtetën, angazhimi ynë në shërbim të Kosovës dhe qytetarëve të saj do të jetë edhe më i fuqishëm, më dinamik dhe më i vendosur”, ka thënë Gërvalla.
Në deklaratën e saj, ajo e mbylli me zotimin për një angazhim politik të bazuar në parime:
“Me guxim, dije, vendosmëri dhe integritet, do ta vazhdojmë angazhimin tonë për një Kosovë të drejtë, të zhvilluar, demokratike dhe prosperuese”, vijoi Gërvalla.