Zafir Berisha ka njoftuar se i është bashkuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Motivi kryesor për të hyrë në zgjedhje, Berisha ka thënë se është “lufta kundër së keqes që ka kapluar Kosovën”.
Në një reagim në Facebook, ai ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti për mashtrime dhe kapje të shtetit.
“Në betejën politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit po hyj me motivin që të jap kontributin tim me gjithë mundësitë që kam, për të luftuar të keqen që e ka kapluar Kosovën, sektin politik të Albinit, i cili e ka çorientuar shtetin dhe ka mashtruar qytetarët me premtime boshe,” ka deklaruar Berisha.
Ai ka thënë se në këtë garë po rreshtohet përkrah Ramush Haradinajt, me të cilin thotë se e lidh e kaluara dhe përgjegjësia për shtetin.
“Me Ramush Haradinajn na lidh e kaluara për liri, por edhe përgjegjësia që kemi ndaj vendit nga i cili nuk heqim dorë. Prandaj rreshtimin tim në këtë betejë e shoh si vazhdimësi të përpjekjeve tona dhe të të gjithë atyre që e duan Kosovën seriozisht dhe pa mashtrime”, u shpreh ai.
Berisha iu drejtua edhe mbështetësve të tij që kishin pritur ta shihnin në krah të Bedri Hamzës në PDK, por shtoi se nuk mund të bëhej pjesë e një “loje të dirigjuar”.
Sipas tij, Bedri Hamza është një “kandidat kukull”, i përdorur nga grupe brenda PDK-së.
“Bedriu në këtë garë është vetëm një kandidat kukull në duarët e ‘pionerëve’ pa libreza të PDK, i thirrur vetëm për me mbajt stafeta e me recitue vjersha të shkruara nga ‘kullerat’ e njëjtë që e përdorën më 9 shkurt, të cilët duan ta përdorin sërish më 28 dhjetor dhe pastaj për ta hedhur si të papërdorshëm dhe pa vlerë”, ka thënë ai.
Berisha theksoi se synimi i tij nuk është të marrë pjesë në “skenarë të dështuar”, por të kontribuojë për vendin.
“Unë jam në këtë betejë politike për Kosovën, jo për skenarë të dështuar dhe jo për figurina politike që tunden sipas interesit të dikujt tjetër”, deklaroi Berisha.