Sulmuesi i krahut, Lucas Moura, do të kthehet në Brazil në fund të këtij sezoni për ta mbyllur karrierën si lojtar aktiv me fanellën e skuadrës Sao Paulo. “The Sun” ka njoftuar se Lucas tek ekipi brazilian do të transferohet si lojtar i lirë, pasi do të lirohet nga Tottenhami.
Ai ka kontratë me Tottenhamin deri në vitin 2024, por klubi ka pranuar t’ia shkëpusë atë para kohe për ta lejuar të kthehet në vendlindje. 30-vjeçari karrierën si profesionist e ka nisur te Sao Paulo, përpara se të largohet drejt Evropës në vitin 2013.
Ai është pjesë e Tottenhamit prej vitit 2018, ndërsa ka luajtur edhe për Paris Saint-Germainin. Këtë sezon ai ka regjistruar 11 paraqitje në të gjitha garat për Tottenhamin.