Mbrojtësi i Kroacisë, Dejan Lovren, tha se vallëzimi festiv i lojtarëve të Brazilit pas shënimit të golave nuk është mungesë respekti, siç kanë vlerësuar të tjerët. Në konferencën për shtyp, Lovren insistoi se lojtarët festojnë golat e tyre në mënyra të ndryshme dhe për këtë arsye nuk bën të kritikohen.
Megjithatë, ai shtoi se synimi i Kroacisë është ta mposht Brazilin dhe jo të fokusohet tek vallëzimi i lojtarëve të tij.
“Sinqerisht, të gjithë mund të bëjnë atë që duan të festojnë, unë nuk kam asnjë problem me këtë. Unë nuk shoh ndonjë mungesë respekti. Mendoj se brazilianët kanë lindur me këngë, me vallëzim, është pjesë e kulturës së tyre”, tha Lovren.
Lovren pranoi se Brazili është favorit, por shtoi se Kroacia nuk do të dorëzohet.
“Qëllimi ynë është të përpiqemi të ndalojmë të gjithë ekipin, sigurisht që Brazili ka shumë cilësi individuale, por ne jemi gati për atë luftë”, shtoi Lovren.