Sport

Brazili dëshiron të vazhdojë vallëzimin edhe kundër Kroacisë

Brazili dëshiron të vazhdojë vallëzimin në Kupën e Botës, kur të përballet me Kroacinë të premten për një vend në gjysmëfinale. Brazilianët e kanë bërë të qartë se nuk do të tërhiqen nga festimi i golave në Katar me vallëzim, pavarësisht kritikave të marra nga disa.

Dueli i parë çerekfinal mes Kroacisë dhe Brazilit luhet nga ora 16:00 në “Education City Stadium”.

“Është pjesë e kulturës braziliane”, insistoi të enjten trajneri i Brazilit, Tite. “Nuk ka të bëjë me mosrespektimin e kundërshtarëve tanë. Thjesht jemi ata që jemi”.

Vetë Tite po vallëzonte me lojtarët e tij pasi Brazili shënoi fitore 4:1 kundër Koresë së Jugut në 1/8 e finales, të hënën. Ish-mesfushori i Manchester Unitedit, Roy Keane, ishte ndër ata që kritikuan ashpër brazilianët për vallëzimin e tyre.

Për të vazhduar vallëzimin, Brazilit do t'i duhet ta kapërcejë një skuadër të vështirë të Kroacisë, e cila përpiqet të kthehet në finalen e Kupës së Botës katër vjet pasi nuk arriti ta fitojë titullin kundër Francës.

“Është më rëndësi të kalojmë në fazën tjetër dhe pastaj sigurisht se do të vallëzojmë. Mirëpo nuk do të jetë aspak lehtë për shkak se Kroacia ka një ekip të fortë me lojtarë si Modriqi, Perishiqi, Kovaçiqi e Brozoviqi. Ata janë mësuar të luajnë në ndeshje të rëndësishme dhe sigurisht se do të jenë në nivelin e duhur. Ne e kemi parasysh se kundër kujt luajmë dhe do të jemi të fokusuar të japim më të mirën që të fitojmë”, është shprehur mbrojtësi Danilo.

Te Kroacia kanë insistuar se janë të gatshëm të përballen me Brazilin, një prej favoritëve kryesorë për të triumfuar në Katar.

“Ne duam të bëjmë më shumë pasi nuk duhet të jemi të kënaqur vetëm me arritjen deri në çerekfinale. E dimë se përballë kemi një kundërshtar të fortë, por ne kemi forcën dhe besimin për ta tejkaluar edhe këtë pengesë”, është shprehur kapiteni i Kroacisë, Luka Modriq.

Modriq i njeh mirë disa nga brazilianët pasi luan me Viniciusin, Rodrygon dhe Eder Militao te Real Madridi. Te Reali gjithashtu ishte Casemiro deri vonë. Vinicius tha se Modriq ishte një referencë për të dhe se ai mësoi shumë nga mesfushori 37-vjeçar.

“Është shumë bukur të dëgjosh Vinin të më komplimentojë. Ai është një djalë i mrekullueshëm dhe ne kemi një marrëdhënie shumë të fortë”, tha Modriq. “Ai ka bërë përparim që kur iu bashkua Real Madridit dhe e ka treguar këtë në Kupën e Botës. Ne kemi një detyrë të vështirë për ta ndaluar atë. Nëse mund t'u jap shokëve të mi një ose dy këshilla se si ta neutralizojnë atë dhe si t'ia bëjnë punën më të vështirë, sigurisht që do ta bëj”.

Ashtu si Brazili, Kroacia ka pranuar vetëm dy gola deri më tani në Kupën e Botës. Mposhti Kanadanë 4:1 krahas barazimeve 0:0 kundër Marokut dhe Belgjikës në fazën e grupeve. Kroacia në 1/8 e finales e eliminoi Japoninë me penallti, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet nuk ofruan gola. Katër nga pesë ndeshjet e fundit të Kroacisë në fazën nokaut në Kupa të Botës kanë shkuar në vazhdime.

Kroacia ka qenë e suksesshme në shtatë nga nëntë ndeshjet e fundit me eliminim direkt në turne.

“Kroatët kanë cilësi të madhe dhe shumë elasticitet”, pranoi Tite. “Brazili do të përpiqet të vazhdojë të bëjë atë që ka funksionuar deri më tani dhe më pas do të shohim se cili ekip mund të avancojë”.

Brazili është në kërkim të fitores së parë ndaj një ekipi evropian në fazën eliminatore të Kupës së Botës që nga triumfi kundër Gjermanisë në finalen e vitit 2002. Brazili e hapi turneun me fitore ndaj Serbisë dhe Zvicrës përpara se të humbiste ndaj Kamerunit me skuadrën rezervë në ndeshjen e fundit në grup. Në 1/8 e finales, Brazili e eliminoi Korenë e Jugut që e mposhti me rezultatin e thellë 4:1.

Neymar, një tjetër brazilian që festoi duke vallëzuar, do të jetë sërish titullar te Brazili pasi u rikthye në formacion kundër Koresë së Jugut pas një dëmtimi në nyjën e djathtë të këmbës që e pësoi në fitoren hapëse ndaj Serbisë. Gjasat janë të mëdha që të luajë edhe mbrojtësi i krahut të majtë, Alex Sandro, i cili është rikuperuar nga lëndimi që e mbajti jashtë në dy ndeshjet e fundit. Brazili do të luajë në çerekfinalen e tetë radhazi të Kupës së Botës dhe të 14-n në përgjithësi. I ka humbur tri nga katër paraqitjet e fundit çerekfinale dhe u turpërua si nikoqir në gjysmëfinalen e vitit 2014 nga Gjermania që e mposhti 7:1.

“Kjo ndeshje do të jetë për ne sikurse finalja në Rusi. Mendoj se Kroacia është vendi i vetëm i vogël që pas suksesit në Botërorin e shkuar, të njëjtën gjë e ka përsëritur edhe tani. Por, nuk do të ndalemi me kaq, pasi duam të shkojmë më larg se çerekfinalja. Na pret një duel i vështirë në të cilin Brazili është favorit. Por, ne duhet të jemi të disiplinuar dhe të presim rastin tonë për ta ndëshkuar”, është shprehur trajneri i Kroacisë, Zlatko Daliq, i cili foli edhe për vallëzimin e lojtarëve të Brazilit.

“Ata kanë mënyrën e tyre të festimit dhe argëtimit, ku tregojnë skuadrën, bashkimin, karakterin dhe kjo është e drejta e tyre. Nëse është respekt për kundërshtarin apo jo, është e parëndësishme. Nuk do të doja që ekipi im të festonte ashtu. Por ky është karakteri i tyre dhe kjo është bukur”.