Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Loshaj synon të lërë gjurmë në futbollin turk

Mesfushori i Kosovës, Florian Loshaj, ka debutuar me sukses te skuadra e Superligës së Turqisë, Istanbulspor.

Istanbulspori të dielën fitoi 2:1 ndaj Alanyasporit, në ndeshjen që i takoi javës së 23-të të.

Istanbulspori shënoi fitore shumë të rëndësishme në garën për mbijetesë. Tani i ka 21 pikë nga 22 ndeshje. Mbetet në pjesën e tabelës që dërgon në kategorinë e dytë.

Në minutën e 77-të, Loshaj fitoi top në gjysmën e tij të fushës dhe me pasim të gjatë e gjeti Emir Gultekinin që realizoi. Ai nisi aksionin edhe për golin e parë.

Loshaj u zyrtarizua të shtunën tek Istanbulspori, ndërsa të dielën luajti prej minutës së 43-të.

Edhe Loshaj kontribuon me gol në fitoren e Istanbulsporit Sport Loshaj kontribuon me gol në fitoren e Istanbulsporit

26-vjeçari është i kënaqur me debutimin, ndërsa pret të ketë edhe më shumë hapësirë.

“Shpresoj që do të mbijetojmë në Superligë dhe të garojmë edhe sezonin e ardhshëm në elitë. Individualisht shpresoj të kem sa më shumë minuta në fushë dhe shpresoj në paraqitje të mira”, ka thënë Loshaj për KOHËN.

Loshaj së fundi ishte pjesë e Cracovias në Poloni, ku nuk kishte hapësirë. Ai e ka vlerësuar hap para kalimin në Turqi.

“Superliga e Turqisë për mua është hap para. Ky transferim ka qenë i planifikuar në verën e kaluar, por ekipi ku kam qenë nuk ka bashkëpunuar. Superliga turke është një ligë shumë cilësore, me disa ekipe gjigante evropiane dhe me lojtarë të mëdhenj”.

Në skuadrën turke, Loshaj i është bashkuar Valon Ethemit, Eduard Rrocës, Jetmir Topallit dhe Sidrit Gurit.

Edhe Loshaj debuton me asistim dhe fitore Sport Loshaj debuton me asistim dhe fitore

Ethemi me asistim të Rrocës shënoi golin e parë të dielën.

Loshaj pret të kaloj mirë me shqiptarët në skuadër. Ai nuk e di sa do të mbetet pjesë e futbollit turk, por synon të lërë gjurmë.

“Momentalisht e kam fokusin maksimal tek Istanbulspori. Prioriteti im është ta ndihmoj ekipin për të mbijetuar”, ka thënë Loshaj, që ka nënshkruar kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2027.

Loshaj ftohet rregullisht nga Kosova. Ai pritet të marrë ftesë edhe për ndeshjet e para kualifikuese për “Euro 2024”.

Edhe Loshaj transferohet tek Istanbulspori Sport Loshaj transferohet tek Istanbulspori

“Kemi ekip shumë cilësor dhe gjithë lojtarët po kalojnë formë të mirë në klubet e veta. Do të bëjmë gjithçka për të shkruar histori”, ka thënë Loshaj.

Ai për Kosovën i ka luajtur 17 ndeshje.