Ka bërë bujë e ardhmja e Andi Zeqirit në nivel të përfaqësueseve. Zeqiri të enjten kompletoi kalimin te Brightoni i Premier Leagues, ndërsa të paktën edhe këtë muaj do të vesh fanellën e Zvicrës.
Në të vërtetë Zeqiri të premten është ftuar te U-21 e Zvicrës për ndeshjet kualifikuese për Evropian me Gjeorgjinë dhe Lihtenshtajnin.
Gjatë javës, babai i lojtarit theksoi se Zeqiri do të grumbullohet me Kosovën. Për këtë i sigurt u shpreh edhe kryetari i FFK-së, Agim Ademi. Por menaxheri i Zeqirit theksoi se ai do të vazhdojë me Zvicrën. Të njëjtën gjë e thanë edhe në Federatën zvicerane.
Zeqiri ka shkëlqyer së fundi me Shpresat e Zvicrës, kurse nuk është deklaruar për këtë temë.
Amir Shaipi, Toni Domgjoni, Betim Fazliji, Kastriot Imeri e Bastien Toma, po ashtu janë ftuar te U-21 e Zvicrës. Fazliji ka thënë se prej nëntorit do të luaj për Kosovën.