Lojtari i tretë i skuadrës Brighton & Hove Albion që është testuar pozitiv për COVID -19, po ndihet mirë dhe nuk po shfaq simptoma. Këtë e ka bërë të ditur menaxheri i klubit të Premier Leagues, Graham Potter, raporton Reuters.
Ditë më parë Brightoni njoftoi se edhe lojtari i tretë i kësaj skuadre ishte testuar për koronavirus.
Dy lojtarë të Brightonit ishin prekur nga koronavirusi në mars dhe në prill, ndërsa rasti i fundit vuri në rrezik planin e Premier Leagues për vazhdim të kampanjës, që është suspenduar në mars.
“Ai është në rregull, është mirë. Kam folur me të dje, nuk ka simptoma kështu që po ndihet mirë”, ka thënë Potter.
“Është pak e çuditshme për të. Atij nuk i pëlqen të qëndroj në shtëpi, i izoluar, por e kupton pse duhet të bëjë këtë. Si mund ta kuptoni, ka pak brenga nga lojtarët tjerë, që duan të sigurohen që ai është mirë. Por ai është dhe të gjithë janë të lumtur për këtë”.
Premier League e Anglisë pritet të vazhdojë muajin e ardhshëm.