Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Lojtaret që po balancojnë obligimet si nëna me ambiciet e futbollit

Futbollistja e Xhamajkës në Kupën e Botës, Cheyna Matthews, emocionohet shumë kur kujton një nga tre djemtë e saj të vegjël, që nuk i ka afër.

Disa futbolliste në Botërorin që po mbahet në Australi dhe Zelandë të Re, megjithatë, kanë gjetur një zgjidhje për t’iu dhënë fund vuajtjeve të ngjashme – kanë marrë fëmijët me vete.

Mesfushorja Melanie Leupolz ka djalin e saj të mitur me vete dhe një dado, në turneun i cili do të zgjasë një muaj nëse skuadra e saj, Gjermania, përmbush pritjet duke arritur në finalen që do të mbahet në Sydney më 20 gusht. Leupolz la anëtarin më të ri të skuadrës së Gjermanisë me dadon e tij për dy ditë në bazën e ekipit në veri të Sydneyt, ndërsa skuadra fluturoi për në Melburn, ku gjermanet hapën kampanjën me fitore të thellë 6:0 ndaj Marokut.

“Është mjaft sfidë. Është e lodhshme dhe kërkon shumë energji” tha lojtarja 29-vjeçare e Chelseat në një intervistë, duke reflektuar mbi balancimin e karrierës së saj me detyrat si nënë. “Doja t'u tregoja grave: hej, ju mund t'i bëni të dyja. Kjo është ajo që më shtyu”.

Në një intervistë të transmetuar këtë javë nga organi qeverisës i futbollit, FIFA, Matthews dhe bashkëlojtarja e saj te Xhamajka, Konya Plummer janë parë duke qeshur teksa shikonin videot e fëmijëve të tyre. Por, kishte edhe lot për shkak se ato janë të ndara prej fëmijëve.

Edhe Fëmijët dhe karriera, futbollistet përshtatin synimet e tyre Sport Fëmijët dhe karriera, futbollistet përshtatin synimet e tyre

“Arsyeja pse me të vërtetë vazhdoj të luaj futboll është se dua që fëmija im të dijë se jam e fortë”, thotë Plummer, e cila ka një djalë.

Disa futbolliste që po luajnë në Botëror kanë kuptuar se gjëja më e mirë është të marrin fëmijët e tyre me vete. Mes tyre janë sulmuesja amerikane Alex Morgan dhe Amel Majri e Francës.

34-vjeçarja Morgan, dy herë fituese e Kupës së Botës, lindi vajzën, Charlie, tri vjet më parë. Vogëlushja do të jetë gjithashtu me dado dhe megjithëse Morgan shpreson ta shohë vajzën e saj “pothuajse çdo ditë”, ajo tha se rregullat e ekipit janë të rrepta, plus që ka të gjitha fluturimet për ndeshjet në qytete të ndryshme. E pyetur nëse ishte e vështirë të balanconte Kupën e saj Botërore me të qenit nënë, Morgan tha: “Është e vështirë sepse çdo ditë më mungon aq shumë. Por kur ajo është këtu, unë e di që po luaj dy role - si nënë dhe futbolliste. Kjo është jeta e një sportisteje profesioniste me familje”.

Mesfushorja Majri tha se të kesh fëmijë të vegjël në kampin e ekipit mund të ndihmojë në sjelljen e qetësisë kur tensionet janë të larta dhe presioni i madh.

“Një fëmijë është vetëm gëzim dhe humor i mirë brenda çdo grupi”, shtoi 30-vjeçarja që ka me vete vajzën njëvjeçare Maryam. “Ndonjëherë nuk jemi të kënaqura me stërvitjen dhe jemi pak të lodhura. Kështu kur gjej vajzën time më jep një nxitje të madhe energjie”.

Sulmuesja gjermane Laura Freigang pajtohet se të kesh fëmijë përreth mund të jetë një shpërqendrim i mirëpritur nga presionet e Kupës së Botës.

“Është thjesht qesharake kur je duke ngrënë dhe bëhet një njoftim serioz, por më pas vjen një vogëlush duke qeshur”, tha ajo.

Edhe Messi flet për foton virale me Yamalin në duar Botërori 2026 Messi flet për foton virale me Yamalin në duar

Leupolz e di gjithashtu se ndryshe nga tifozët që mund të mos e falin humbjen, ajo do të ketë gjithmonë një fytyrë miqësore përballë, pavarësisht nga rezultati.

“Sigurisht është shumë rraskapitëse, por kur kthehesh në hotel dhe merr një buzëqeshje e di se për çfarë po i bën të gjitha”, pranoi ajo.