Sport

Lojtarët në Angli do të testohen për COVID deri në nëntë herë në javë

Skuadrat e Premier Leagues janë pajtuar që t’i testojnë lojtarët deri në nëntë herë në javë, në një përpjekje për ta frenuar valën e Covid-19, të shkaktuar nga varianti Omicron, dhe për të parandaluar mbylljen e ligës më të fortë të futbollit në botë. Kjo lëvizje vjen pas përshkallëzimit dramatik të shfaqjes së koronavirusit brenda klubeve elitare të Anglisë, me 42 raste të reja të identifikuara javën e kaluar dhe dy ndeshje tashmë të anuluara.

Transmetimi i variantit të ri të koronavirusit dhe përhapja e tij tek të rinjtë përbën një sfidë të rëndësishme për klubet e futbollit, ku stafi dhe lojtarët punojnë afër njëri-tjetrit. Duke qenë të vetëdijshëm për rrezikun, Premier League të martën ka kërkuar të qëndrojë përpara asaj që kryeministri Boris Johnson e përshkroi të hënën si një valë e rasteve të Covid-19, që po e pushton gradualisht të gjithë vendin. Kështu që, është kërkuar nga të gjitha klubet t'u kthehen protokolleve strikte të sezonit të kaluar, që përfshijnë mbajtjen e maskave dhe distancimin social në stadiume dhe terrene stërvitore.

Po ashtu, Premier League tani u ka kërkuar klubeve të miratojnë teste ditore për çdo lojtar dhe dy teste PCR çdo javë. Në mbledhjen të aksionarëve të 20 klubeve, të martën, u arrit marrëveshja që të rritet në mënyrë dramatike niveli i testimit dhe të miratohet orari i ri, ndonëse është kërkuar që lojtarët t’u nënshtrohen testimeve edhe në ditët kur nuk kanë stërvitje. Një test PCR do të bëhet një ditë para ndeshjes. Që nga ardhja e variantit Omicron në Angli, një numër klubesh kanë raportuar shpërthime të virusit, përfshirë Tottenhamin, Leicesterin, Manchester Unitedin, Aston Villan, QPR-n e West Bromwichin. Ndërkohë, Norwichi ka njoftuar se tashmë e ka një lojtar të prekur me këtë variant të virusit. Ndeshja mes Tottenhamit dhe Brightonit u shty, ndërsa QPR-ja e anuloi duelin me Sheffield Unitedin të hënën, përpara se të anulohej edhe dueli tjetër i Premier Leagues mes Manchester Unitedit e Brentfordit, që do të duhej të zhvillohej të martën mbrëma. Shtyrja e këtij takimi ka ardhur shkaku i shpërthimit të virusit brenda skuadrës së Unitedit.

Ndeshja e Tottenhamit në Ligën e Konferencës në shtëpi ndaj Rennesit u anulua gjithashtu. Qeveria britanike dhe këshilltarët e saj shkencorë e kanë bërë të qartë se mbrojtja e konsiderueshme nga varianti Omicron kërkon vaksinim të dyfishtë dhe një “goditje” tjetër përforcuese. Sidoqoftë, klubet e Premier Leagues mbeten të varura nga testet për të parandaluar përhapjen e variantit Omricon dhe anulimin e kampionatit sepse lojtarët kanë qenë të ngadaltë në marrjen e vaksinave. Niveli aktual i vaksinimit në mesin e lojtarëve kryesorë është i panjohur, por shifrat e fundit që u publikuan ishin në muajin tetor, kur 68 për qind kishin marrë një vaksinë të dyfishtë dhe 81 për qind kishin marrë vetëm një dozë të vetme. Shkalla e vaksinimit u rrit ndjeshëm në tetor pas një fushate të bashkërenduar nga liga dhe klubet.

Kjo bëri që përqindja e lojtarëve me dy vaksina të rritet dukshëm. Prej të mërkurës, 18-29-vjeçarët mund të kryejnë një goditje përforcuese, sipas planeve të qeverisë për të frenuar përhapjen e virusit. Megjithatë, vetëm një e treta e futbollistëve të kategorisë së lartë do të mund të jenë të kualifikuar për të marrë dozën e tretë këtë muaj, pasi duhet të ketë një hendek prej tre muajsh midis dozave të dyta dhe të treta. Ata që kanë marrë dozën e dytë në tetor do të duhet të presin deri në janar. Premier League thotë se normat e vaksinimit janë rritur që nga tetori, por nuk janë zbuluar shifrat. Ata lojtarë, që u vaksinuan me dozën e dytë në muajin nëntor, do të duhet të presin deri në shkurt për përforcuesin e tyre. Javën e kaluar, profesori Paul Hunter, një epidemiolog në Universitetin e Anglisë Lindore, tha se futbolli është në një “kohë të vështirë” dhe parashikoi se shumica e klubeve do të përjetonin një shpërthim të virusit. Premier League po punon fort për të përballuar sfidën e paraqitur nga varianti Omicron.

“Siguria e të gjithëve është një prioritet dhe Premier League po i merr të gjithë hapat paraprak për të parandaluar numrin e të infektuarve nëpër klube. Me masat e reja, ku lojtarët do të bëjnë deri në nëntë testime në javë, besojmë se do ta përballojmë këtë valë të virusit dhe do të shpëtojmë nga mbyllja e kampionatit”, thuhet në njoftimin e Premier Leagues. “Liga është rikthyer te masat e saj të urgjencës dhe do të rrisë frekuencën e testimit të lojtarëve dhe të stafit. Masat e urgjencës COVID-19 të Premier Leagues, të cilat janë të zbatueshme për të gjitha klubet, përfshijnë protokolle të tilla, si: mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura, respektimi i distancës sociale dhe kufizimi i kohës së trajtimit. Këto janë përveç testimeve më të shpeshta”.

Bazuar në këtë vendim, në çdo klub do të testohen nga 100 persona – staf dhe lojtarë – në baza ditore për koronavirus. Po ashtu, prej këtij vikendi edhe tifozët, që do të duan të futen në stadiume për t’i shikuar ndeshjet, duhet ta kenë me vete rezultatin e testit negativ, si dhe dëshminë për dozën përforcuese të vaksinimit kundër koronavirusit.