Një numër në rritje i klubeve po insistojnë për një mbyllje të Premier Leagues deri në vitin e ardhshëm, në një përpjekje për ta përballuar krizën në rritje të koronavirusit. Shefat e Premier League janë informuar se me rritjen e numrit të rasteve, të nxitura nga varianti Omicron, do të ketë mbështetje për pezullimin e ndeshjeve deri në fundjavën e parë të janarit – 8/9 - kur do të zhvillohen ndeshjet e raundit të tretë të FA Cup.
Kjo do të nënkuptonte shtyrjen e katër xhirove të Premier Leagues, duke filluar këtë fundjavë dhe duke vazhduar deri në fundjavën e janarit. Sipas propozimit, ndeshjet e Premier League do të rifillojnë më datën 15 janar.
Zyrtarisht, Premier League po shqyrton ende shtyrjen, pasi po e monitoron situatën rast pas rasti. Premier League nuk ka qenë në gjendje të japë një përgjigje nëse ka në plan mbylljen e kampionatit për disa javë shkaku i koronavirusit. Një numër ndeshjesh tashmë janë shtyrë, duke përfshirë udhëtimin e Manchester United në Brentford të martën, si dhe ndeshjen që ekipi nga “Old Traffordi” do ta luajnë të shtunën me Brightonin. Është shtyrë edhe ndeshja e Leicester Cityt kundër Tottenham të enjten. Bëhet e ditur se Unitedi kishte në dispozicion vetëm nëntë lojtarë për duelin me Brentfordin, ndërsa vetëm shtatë prej tyre do të mund të luanin në vikend ndaj Brightonit.
“Unë mendoj se të paktën të gjitha ndeshjet e vikendit duhet të shtyhen për shkak të situatës së rënduar në klube për shkak të infektimeve. Rastet me koronavirus po rriten për çdo ditë dhe të gjitha klubet e Premier Leagues po përballen me probleme të mëdha. Duhet të ndërmarrim sa më shpejt masa, në mënyrë që mos të eskalojë situata”, ka thënë trajneri i Brentfordit, Thomas Frank.
Në fakt, Manchester Unitedi, në njoftimin për anulimin e ndeshjes me Brightonin, ka shtuar se po ashtu edhe për një periudhë të pacaktuar e ka mbyllur qendrën stërvitore për t’i shmangur kontaktet mes lojtarëve dhe stafit. Po ashtu, të mërkurën vetëm pak orë para fillimit është shtyrë edhe vizita e Watfordit te Burnley, ndërsa ka shqetësime edhe në mesin e tifozëve. Në prag të ndeshjes së Chelseat me Evertonin, klubi nga Londra ka njoftuar se krahas Mateo Kovaçiqit edhe tre futbollistë të tjerë janë infektuar me koronavirus, por nuk ka kërkuar shtyrjen e duelit. Edhe te Chelsea kanë thënë se shpresojnë në një pushim të shkurtër pas rritjes së numrit të rasteve nëpër klubet e Premier Leagues.
“Situata me koronavirusin në klubet e Premier Leagues nuk është shaka, por shumë shqetësuese. Do të ishte mirë që Premier League të mendonte një pushim të vogël për të gjitha klubet, të cilat për çdo ditë po përballen me infektimin e futbollistëve”, ka thënë të enjten trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel.
Edhe
Premier League thotë se mjaftojnë katër raste me koronavirus për ta shtyrë ndeshjen
Ditë më parë, skuadrat e Premier Leagues janë pajtuar të ndërmarrin masa në mënyrë që ta përballojnë situatën me koronavirusin. Klubet janë pajtuar që t’i testojnë lojtarët deri në nëntë herë në javë, në një përpjekje për ta frenuar valën e Covid-19, të shkaktuar nga varianti Omicron dhe për ta parandaluar mbylljen e ligës më të fortë të futbollit në botë. Kjo lëvizje vjen pas përshkallëzimit dramatik të shfaqjes së koronavirusit brenda klubeve elitare të Anglisë, me 42 raste të reja të identifikuara javën e kaluar dhe dy ndeshje tashmë të anuluara. Megjithatë, duket se rritja e përditshme e rasteve mund ta sjellë mbylljen e ligës.
“Unë mendoj se ne kemi nevojë për një ndërprerje afatshkurtër të Premier Leagues dhe kjo është mënyra e vetme që futbolli mos të jetë i mbingarkuar me raste pozitive, të cilat mund të na dërgojnë deri në mbylljen totale të vendit”, ka thënë profesori Stephen Reicher, i cili është këshilltar në grupin shkencor të emergjencave në Angli.