Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Lojërat Mesdhetare, dita e katërt e garave

Loj

Në Taranto të Italisë vazhdojnë Lojërat Mesdhetare. Kosova në këtë ngjarje po merr pjesë me plot 163 sportistë. Sot është dita e katër e garave. 
 

LM, e diela mbyllet me disfatën e Kosovës U18

1 muaj më parë / 23 gus 2026 22:55
Kosova U-18

Dita e diel në Lojërat Mesdhetare për sportistët e Kosovës është mbyllur me një tjetër disfatë. 
Futbollistet e grupmoshës U18 të Kosovës u mposhtën thellë nga Italia, në ndeshjen e Grupit A që u zhvillua në “Stadio Giovanni Paolo II”. 

Për Kosovën U18 të udhëhequr nga Albina Rrahmani ishte humbja e dytë, pas asaj 3:0 nga Portugalia. 

Daria Rosso (12’), Giulia Guerzoni me dy gola nga penalltia (26’, 35’) dhe Rachele Andreangeli (47’), i shënuan golat për italianet. 

Ndërkohë, supergol nga goditja e këndit realizoi Erina Mehmeti. 15-vjeçarja Mehmeti shënoi direkt në portën e Italisë. 

Më 25 gusht, Kosova përballet me Marokun, ndërsa më 29 gusht e luan ndeshjen me Slloveninë.

Kosova mposhtet thellë edhe në hendboll

1 muaj më parë / 23 gus 2026 21:36
Kosova - hendboll

Hendbollistët e Kosovës e kanë luajtur ndeshjen e parë në Lojëra Mesdhetare “Taranto 2026”.

Të dielën mbrëma në Fasano të Italisë, Kosova pësoi me rezultat të thellë, 39:23, nga Italia.  

Italianët kanë dominuar nga fillimi, ndërsa çështja e fituesit u vendos që në pjesën e parë.  

Në fakt Kosova nuk ka rivalizuar për asnjë moment përfaqësuesen nikoqire, që i mori pikët e para në Grupin A. 

Kosova të martën luan me Egjiptin, ndërsa të enjten me Portugalinë.

Humbja e hendbollistëve vetëm ka konfirmuar një ditë plot dështime për Kosovën në Lojërat Mesdhetare. Nuk është arritur asnjë sukses i vetëm.

Shqipëria fiton medaljen e parë në Lojërat Mesdhetare, siguron edhe dy të tjera

1 muaj më parë / 23 gus 2026 19:24
Ardit Zeneli

Shqipëria e ka fituar medaljen e parë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

Të dielën, Ardit Zeneli fitoi medalje të bronztë në kategorinë deri 67 kilogramë në mundje, në stilin greko-roman.

22-vjeçari fitoi në luftën e parë, përkatësisht në çerekfinale. Në gjysmëfinale humbi, ndërsa për vend të treta fitoi 9:8 ndaj një mundësi grek. 

Ndërkohë Shqipëria ka siguruar edhe dy medalje, më të vlefshme se ajo e Zenelit. Të hënën në mundje në finale do të paraqiten Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev. Ky i fundit në finale të kategorisë deri 74 kilogramë përballet me Fati Vejselin e Maqedonisë së Veriut. Një tjetër shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Rexhep Hajdari, paraqitet në finale të kategorisë deri në 97 kilogramë, në stil të lirë.

Humbje 6:0, 6:0 për Kosovën në padel

1 muaj më parë / 23 gus 2026 19:05
Padel - Kosova

Ekipi i parë i Kosovës në padel është ndalur në ndeshjen e dytë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

Në një të tetën e finales te meshkujt, Kosova humbu 2:0 në sete nga Portugalia, të dielën pasdite.

Lavdrim dhe Leotrim Krasniqi i humbën të dy setet me 6:0 nga portugezët Nuno Barata Deus dhe Miguel Barata Deus. 

Në ndeshjen e parë, të shtunën, vëllezërit Krasniqi fituan 2:0 në sete ndaj ekipit të Turqisë. 

Ekipi Kosova 2, që përbëhet nga Osmon Reçica e Lorik Rexhepi, humbi në ndeshjen e parë nga Shqipëria 1 me rezultatin 2:0 në sete.

Në konkurrencë të femrave, Kosova 2 humbi 2:0 në sete nga Egjipti 1, në ndeshjen e parë, të shtunën. Albiona Gashi dhe Viola Peja ishin pjesë e këtij ekipi.

Kosova 1 e kaloi raundin e parë pa lojë. Në 1/8 e finales, të hënën, Kosova 1 luan ndaj Francës 2. 
Kosova do të garojë edhe në miks.

Humbja e tretë e volejbollistëve me rezultatin 3:0 në sete

1 muaj më parë / 23 gus 2026 18:23
Volejboll

Volejbollistët e Kosovës kanë pësuar tjetër humbje me rezultat maksimal, 3:0 në sete, në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

Të dielën volejbollistët e Kosovës u përballën me Egjiptin dhe bënë rezistencë të zbehtë. 

Seti i parë përfundoi 25:12 për egjiptianët. Kosova i mori 19 pikë në setin e dytë, ndërsa seti i tretë përfundoi 25:17 për Egjiptin. Në fakt Egjipti ka pasur kontrollin nga fillimi e deri në fund.

Kosova tashmë ka humbje 3:0 në sete nga Greqia dhe nga Spanja. Të martën e luan ndeshjen e fundit në grup, ndaj Turqisë.

Lojërat Mesdhetare përfundojnë edhe për Bajokun e Jakupin

1 muaj më parë / 23 gus 2026 16:14
Bashkim Bajoku

Lojërat Mesdhetare në Taranto të Italisë janë mbyllur edhe për dy boksierët e tjerë që përfaqësuan Kosovën, Bashkim Bajokun dhe Taulant Jakupin. 

Bajoku e Jakupi kanë humbur meçet e tyre të dielën. Të shtunën u eliminuan edhe Shpëtim Bajoku dhe Lumturim Xhoxhaj. 

Bashkim Bajoku të dielën humbi nga italiani Tommaso Sciacca me pikë, 3:2. 

25-vjeçari Bajoku garoi në kategorinë deri 55 kilogramë. 

Ndërkohë, Taulant Jakupi pasdite u mposht nga boksieri spanjoll Pablo Coy Bernal.

Spanjolli ishte dukshëm më i mirë dhe fitoi me ndërprerje. 

Një minutë e 30 sekonda pa u mbyllur raundi i dytë, Bernal pati iniciativë dhe gjyqtari ndërhyri. Më pas e vlerësoi se Jakupi nuk mund ta vazhdojë meçin dhe fitorja i takoi boksierit 26-vjeçar. 

21-vjeçari Jakupi garoi në kategorinë deri 80 kilogramë. 

Shpresat për medalje në “Taranto 2026” mbeten te Donjeta Sadiku. Boksierja më e mirë në Kosovë garon të hënën nga ora 18:15. Në meçin e parë të kategorisë deri 60 kilogramë, Sadiku përballet me turken Esmanur Lok.

LM – humbje e thellë për mundësin Xhoni

1 muaj më parë / 23 gus 2026 11:49
Egzon Xhoni

Mundësi i Kosovës, Egzon Xhoni, ka pësuar humbje në përballjen e parë në Lojëra Mesdhetare.

Në Taranto të Italisë, të dielën paradite, Xhoni humbi me rezultatin 11:2 nga garuesi shumë cilësor, Islam Dudaev. 

Dudaev është nga Dagestani i Rusisë, por prej vitit 2022 garon me sukses për Shqipërinë. Është fitues i medaljes së bronztë olimpike në “Parisi 2024” dhe kampion evropian.

Ndaj Dudavit, Xhoni ishte pa shanse në luftën e kategorisë deri në 74 kilogramë në stil të lirë. Lufta i takoi një të tetës së finales.

Taekwondistët e përfundojnë garimin, gjashtë kosovarë asnjë fitore

1 muaj më parë / 23 gus 2026 11:41
taekwondo

Kanë përfunduar garat e taekwondos për Kosovën në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

Të dielën në arenë dolën tre taekwondistë të Kosovës. Dhe të tre pësuan humbje me rezultat maksimal, 2:0.

Fillimisht Resa Gashi humbi nga spanjollja Helena Garcia Suarez në një të tetën e finales në kategorinë deri 67 kilogramë.

Jon Gashi po ashtu kishte kundërshtar spanjoll. Humbi 2:0 nga Mikel Fernandez Garcia në xhiron e parë, përkatësisht në një të tetën e finales në kategorinë deri 80 kilogramë. 

Njëjtë u ndal edhe Bled Tufa, në luftën e parë në kategorinë +80 kilogramë. Pësoi nga kroati Ivan Shapina.

Edhe më e rëndë për Kosovën ishte e shtuna, dita e parë e garave në taekwondo. Bleron Ademi humbi 2:0 nga Josip Teskera i Kroacisë në kategorinë deri 58 kilogramë.

Ndërkohë dy garues të tjerë humbën nga taekwondistë të Serbisë. Rona Gashi pësoi nga Jana Lukiq në kategorinë deri 57 kilogramë, ndërsa Elion Agushi nga Zharko Krajishnik. Elion Agushi garoi në kategorinë deri në 68 kilogramë. 

Ndonëse me konkurrencë jo shumë të madhe, garuesit kosovarë në taekwondo largohen nga Taranto pa lënë asnjë gjurmë.

LM - notaret larg kohës që siguron avancimin tutje

1 muaj më parë / 23 gus 2026 11:11
lojerat mesdhetare

Notaret e Kosovës kanë vazhduar të dielën me gara në Lojëra Mesdhetare. 

Të dielën paradite në Taranto të Italisë, Hana Beiqi e Erina Idrizaj u paraqitën në garën kualifikuese në 50 metra shpinë. Hana kishte kohë prej 30.31 sekonda, ndërsa Erina prej 30.88 sekonda. Ishin të fundit në baterinë e parë.

Në përgjithësi ishin në vendin e 12-të dhe të 13-të prej 15 notareve në këtë disiplinë. Luna Djarmati e Shqipërisë ishte e 14-ta, ndërsa një libaneze e 15-ta. 

Notaret kosovare nuk janë kualifikuar tutje, përkatësisht në garën finale. Në finale kaluan notaret që kishin kohë nën 30 sekonda.

Në 200 metra stil të lirë garoi Riga Shala. Ajo ishte e 15-ta, përkatësisht e fundit prej notareve që garuan. Koha e saj ishte 2 minuta, 19 sekonda e 13 të qindtat.