Llapi i ka "lidhur" dy fitore për t'u kthyer në garën për titull të kampionit në futboll.
Ndërkohë Trepça '89 ka pësuar në shtëpi nga Liria për të humbur qetësinë, përkatësisht për të mbetur e rrezikuar që sërish të bjerë në zonën e barazhit.
Kështu përballja Llapi - Trepça '89 e ka peshën e madhe të saj për të dy skuadrat. Për Llapin që të bëjë edhe një hap drejt përfshirjes së plotë në garën për titull, ndërsa për 89-shin që mos të bjerë në zonën ku i rrezikohet seriozisht mbetja në elitën e futbollit.
Llapi e pret Trepçën '89 të shtunën (sot, 13:30) në stadiumin "Zahir Pajaziti" në Podujevë. Është kjo kryendeshja e xhiros së 22-të të IPKO Superligës së Kosovës në futboll me të cilën mbyllet faza e dytë e garave.
Pas kësaj xhiroje mbesin edhe 11 xhiro të fazës së tretë deri në fund të kampionatit, që mbetet shumë i hapur si në garën për titull ashtu edhe në garën për ekzistencë. Llapi aktualisht është i treti me 44 pikë, sa i ka edhe Prishtina në vend të dytë. Feronikeli është lider me 49 pikë. Trepça '89 renditet e shtata me 28 pikë, por ka vetëm një pikë më shumë se Ballkani e Ferizaj që mbajnë vendet tetë e nëntë.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).