Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Liverpooli kundër Sparta Pragës, Brightoni luan me Romën

Liverpooli do të luajë kundër Sparta Pragës në 1/8 e finales në Ligën e Evropës, ndërsa Brightoni do të ballafaqohet me Romën.

Skuadra e West Hamit takohet me Freiburgun, kurse lideri i elitës skoceze të futbollit, Rangers, përballë do ta ketë Benfican portugeze.

Shtatë herë kampioni i Evropës, Milani, do të luajë kundër Slavia Pragës, ndërsa Leverkuseni në formë, takohet me Qarabagun.

Sportingu portugez luan me Atalantan, kurse Marseille me Villarrealin.

Ndeshjet e para të kësaj faze në Ligën e Evropës luhen më 7 mars, kurse ato kthyese pas një jave.

Faza e plejofit të Ligës së Evropës, në të cilën vendet e dyta të fazës grupore u takuan me vendet e treta të fazës grupore të Ligës së Kampionëve, përfundoi të enjten mbrëma.

Tetë fituesit e grupeve në Ligën e Evropës avancuan direkt në 1/8 e finales dhe ndeshjet kthyese do t’i luajnë në shtëpi.

“Të kuqtë” e Liverpoolit e kanë fituar këtë garë tri herë, ndërsa në vitin 2016 ishin finalistë. Liverpooli është në garë që t’i fitojë katër trofe në edicionin aktual.

Finalen e parë do ta ketë të dielën kundër Chelseat në Kupën e Ligës.

Liverpooli e ka fituar përballjen e vetme me Sparta Pragën në 1/16 e finales së Ligës së Evropës në edicionin 2010/11. Avancoi tutje me rezultatin e përgjithshëm 1:0, me golin që e shënoi Dirk Kuyt në ndeshjen e dytë.

West Ham Unitedi, fitues i Ligës së Konferencës në edicionin e kaluar, kishte shkuar deri në gjysmëfinale të Ligës së Evropës në vitin 2022. Mbetet prej skuadrave favorite për të triumfuar.

Skuadrën ku luan Florent Muslija e ka mposhtur në edicionin e sivjetmë të kësaj gare, 2:0 në shtëpi dhe 2:1 si mysafir, kur u përballën në kuadër të Grupit A.

Brightoni luan në futbollin evropian për herën e parë në histori të klubit. Kjo skuadër e mposhti Marseillen në ndeshjen e fundit të fazës grupore dhe avancoi tutje si fitues i grupit.

Skuadra e drejtuar nga Roberto de Zerbi do të takohet me nënkampionen e edicionit të kaluar, Romën, që është në pozitën e gjashtë në Serie A.

Roma e eliminoi të enjten mbrëma Feyenoordin, pas ekzekutimit të penalltive.

Çerekfinalet luhen më 11 dhe 18 prill, gjysmëfinalja më 2 dhe 9 maj, ndërsa finalja e edicionit të sivjetmë të Ligës së Evropës zhvillohet më 22 maj në Dublin të Republikës së Irlandës.

Çiftet e 1/8 së finales në Ligën e Evropës:

Sparta Praga – Liverpool

Marseille – Villarreal

Roma – Brighton

Benfica – Rangers

Freiburg – West Ham United

Sporting – Atalanta

Milan – Slavia Praga

Qarabag – Leverkusen

Artikuj të ngjashëm