Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova mposht Maqedoninë e Veriut në Ligën e Kombeve

Kosova e ka fituar ndeshjen e dytë të Grupit 5 të Ligës C të Ligës së Kombeve për futbolliste. Pas barazimit pa gola me Bullgarinë më 26 shtator, të udhëhequrat e përzgjedhëses Anneli Andersen të premten mposhtën në udhëtim Maqedoninë e Veriut me rezultatin 2:0.

Ndeshja u zhvillua në “Qendrën Stërvitore të Federatës së Maqedonisë së Veriut” në Shkup. Kosova fitoren e vulosi që në pjesën e parë. Sulmuesja e krahut, Valentina Limani, me lëvizje të bukur dhe gjuajtje të fortë e të saktë në minutën e 20-të të ndeshjes, i dha epërsinë skuadrës së Kosovës.

Ndërkohë, mesfushorja Valentina Metaj, realizoi nga afërsia, katër minuta para se skuadrat të shkonin në pushim. Në pjesën e dytë, Kosova nuk lejoi befasi, e administroi mirë lojën dhe i siguroi pikët e plota. 

Kjo ishte ndeshja e dytë e zhvilluar në këtë grup. Kosova dhe Bullgaria në dy ndeshje kanë nga katër pikë.

E fundit është Maqedonia e Veriut, pa pikë. Edhe ndeshjen e radhës, “Dardanet” e luajnë kundër Maqedonisë së Veriut. Më 31 tetor takohen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Edhe Kosova kërkon tjetër fitore ndaj Maqedonisë së Veriut Sport Kosova kërkon tjetër fitore ndaj Maqedonisë së Veriut

Ndeshjen e fundit, Kosova e luan kundër Bullgarisë më 1 dhjetor. Ky takim vlerësohet të jetë edhe vendimtar për ta fituar Grupin C të Ligës së Kombeve. Fituesit e pesë grupeve në Ligën C, inkuadrohen në Ligën B. Liga C është niveli më i ulët i Ligës së Kombeve.

Marrin pjesë skuadrat e renditura nga vendi i 33-të e më poshtë. Kosova te futbollistet në UEFA zë pozitën e 39-të, ndërsa në FIFA renditet në vendin e 102-të.