Pas fitores në Shkup, futbollistet e Kosovës synojnë suksesin ndaj Maqedonisë së Veriut edhe në Prishtinë. Tri ditë më parë, Kosova e mposhti Maqedoninë e Veriut me rezultatin 2:0. Golat i shënuan Valentina Limani e Valentina Metaj.
Kosova e Maqedonia V. takohen sërish të martën prej orës 17:00. Ndeshja luhet në “Fadil Vokrri”, kurse i takon Grupit 5 të Ligës C të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Pas dy ndeshjeve, Kosova është e para në grup me katër pikë, sa i ka edhe Bullgaria. Maqedonia e Veriut është e fundit, pa pikë. Kosova synon vendin e parë, që i siguron avancimin në Ligën B të Ligës së Kombeve, që është niveli i dytë. Liga C është niveli i tretë, përkatësisht i fundit.
Kosova më 26 shtator kishte barazuar pa gola me Bullgarinë në Sofje. Bullgaret kishin fituar 1:0 ndaj Maqedonisë së Veriut në Shkup. Kosova më 1 dhjetor e pret Bullgarinë në Prishtinë dhe me fitore eventuale të martën ndaj Maqedonisë V. do të ishte në situatë shumë të favorshme.
Për këtë janë të vetëdijshme lojtaret dhe përzgjedhësja e Kosovës, suedezja Anneli Andersen.
Edhe
Te Kosova synojnë tjetër fitore ndaj Maqedonisë së Veriut
“Kemi pasur stërvitje të mira dhe jemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme për ndeshjen me Maqedoninë. Përfundimisht është një sfidë e re të jemi pjesë e Ligës së Kombeve dhe kemi dy ndeshje brenda një kohë të shkurtër. Të premten patëm një paraqitje të mirë ndaj Maqedonisë. Jemi rikuperuar dhe kemi punuar të përmirësohemi për të pasur një tjetër paraqitje të mirë në Prishtinë. Nuk do të jetë lehtë, por jemi gati të japim më të mirën nga vetja, pasi kemi punuar mirë dhe jemi përgatitur”, ka thënë Andersen të hënën pas stërvitjes së fundit të Kosovës.
Futbollistja Lumbardha Misini ka theksuar se ndeshja është shumë e rëndësishme.
“Besoj se do të marrim rezultat pozitiv pasi fitorja e javës së shkuar ka qenë motiv shtesë për të luftuar për fitoren e dytë. Me fitoren e dytë do të ishim gati për të luajtur ndaj Bullgarisë në Prishtinë”, ka thënë Misini.
Ndërkohë, Blerta Ismaili ka thënë se angazhimi duhet të jetë më i madh se në ndeshjen në Shkup.
“Synimi është të shkojmë më tutje dhe për këtë arsye duhet ta fitojmë këtë ndeshje si dhe të bëhemi gati për duelin me Bullgarinë në dhjetor”, ka thënë Ismaili.
Ajo shpreson që të ketë numër më të madh të shikuesve në tribuna. Sipas Ismailit kjo do të motivonte maksimalisht futbollistet e Kosovës.
Edhe
Kosova mposht Maqedoninë e Veriut në Ligën e Kombeve
Në fakt interesimi për ndeshjet e futbollisteve të Kosovës nuk ka qenë i madh së fundi.
UEFA për herë të parë ka organizuar Ligën e Kombeve për futbolliste. Te futbollistët një garë e tillë ka disa vjet që zhvillohet.