Sulmuesi i krahut, Jonathan Ikone do ta vazhdojë karrierën në Serie A, te Fiorentina. Skuadra e Lillet ka njoftuar të premten se ka arritur marrëveshje me Fiorentinan për transferimin e Ikones gjatë afatit kalimtar të janarit.
Kështu, Ikone do të jetë transferimi i parë i Fiorentinas në vitin e ri. Detajet e marrëveshjes nuk janë publikuar por mediumet kanë raportuar se Fiorentina do të paguajë rreth 25 milionë euro për kartonin e Ikones, i cili do të firmos kontratë deri në në verën e vitit 2026.
Lille ka falënderuar Ikonen për kontributin e dhënë prej verës së vitit 2018 kur iu bashkua nga Paris Saint-Germaini.
Gjatë kësaj periudhe, Ikone ka regjistruar 150 ndeshje në total ku ka shënuar 16 gola dhe ka bërë 26 asistime me fanellën e Lillet, ekip me të cilin sezonin e shkuar e ka fituar titullin e kampionit. Ikone do të transferohet te Fiorentina më 3 janar kur edhe hapet afati kalimtar i janarit në Itali.
Këtë sezon, Ikone ka dy gola e po aq asistime në 25 paraqitje për Lillen. Ai ka edhe katër ndeshje e një gol të shënuar me Përfaqësuesen e Francës.