Te Prishtina janë të bindur se seria prej pesë ndeshjeve rresht pa fitore përballë Dritës do të marrë fund të dielën.
Kapiteni i Prishtinës, Armend Dallku, beson në forcën e skuadrës së tij, megjithëse përballë do ta ketë kampionen në fuqi, shkruan sot Koha Ditore.
Ndeshja derbi ndërmjet Prishtinës dhe Dritës zhvillohet në stadiumin "Fadil Vokrri" të Prishtinës, të dielën prej orës 15:00 dhe i takon xhiros së 17-të, të fundit për pjesën vjeshtore.
Në rast të triumfit, Prishtina do të konfirmohet kampione e vjeshtës, gjë që, sipas Dallkut, është edhe synimi.
Prishtina është lidere në Superligë me 37 pikë të tubuara, një më shumë se Feronikeli që është i dyti, derisa Llapi renditet i treti me 32 pikë.
Drita është e pesta me 23 pikë të tubuara. Si Prishtina ashtu edhe Drita në këtë derbi futen pas barazimeve që i patën në xhiron e shkuar.
Prishtina luajti pa gola në udhëtim ndaj Ferizajt, derisa Drita në shtëpi barazoi 1:1 me Feronikelin. Barazimi me Ferizajn për Prishtinën erdhi pas tetë fitoreve rresht, që do të thotë se bardhekaltrit nuk dinë për humbje në nëntë ndeshjet e fundit/ Tahir Sopi.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).