Robert Lewandowski është 35-vjeçar, por ylli i skuadrës së Barcelonës nuk po e mendon pensionimin nga futbolli aktiv.
Sulmuesi polak, që karrierë ka bërë në disa skuadra të Polonisë dhe në Gjermani te Borussia Dortmundi e Bayern Munichu, ka folur për mediumin spanjoll “Marca” të premten.
“Ende e kam ndjenjën pozitive dhe pasionin për futbollin. Mendoj se mund të luajë futboll edhe për tre apo katër vjet të tjerë sepse ndihem shumë mirë fizikisht”, ka thënë sulmuesi i Barcelonës.
Megjithatë, Lewandowski, nuk po mendon ta vazhdojë profesionin e trajnerit pasi ta mbyllë karrierën e pasur si futbollist.
Lewandowski, që kontratë me Barcelonën ka deri në vitin 2026, ka realizuar tetë gola dhe ka katër asistime në 17 paraqitje në të gjitha garat.