Sport

Leonn Draisaitl: ylli i NHL-së i dalë nga Gjermania

Edmonton, nëntor (DW) – Fasada e arenës “Rogers Place” në qendër të qytetit Edmonton në Kanada, ka ajrin e një muzeu të hokejit mbi akull. Përgjatë një shtrirje prej 50 metrave, do t’i shihni të paraqitura fotografitë e protagonistëve kryesorë që qëndruan prapa epokës së artë të ekipit Edmonton Oiler që garon në NHL, shkruan sot Koha Ditore.

Emri më i madh, natyrisht, është Wayne Gretzky, i përcjellë nga trajneri legjendar Glen Sather dhe superyjet e tjerë, si Jari Kurri, Paul Coffey dhe Mark Messier.

Mes viteve 1984 dhe 1990, ekipi i Oilers triumfoi pesë herë në “Stanley Cup”, duke e vendosur qytetin e Edmontonit në hartë edhe përtej Amerikës së Veriut.

Por kjo ka ndodhur shumë kohë më parë; Oilers nuk e ka fituar Kupën që nga viti 1990 dhe nuk ka qenë në finale prej vitit 2006. Por menaxhmenti, lojtarët dhe tifozët shpresojnë që pritja e gjatë për një Kupë tjetër nuk do të zgjasë edhe për shumë kohë. Një prej personave që po përpiqet këtë dëshirë ta bëjë realitet, është Leonn Draisaitl, të cilin Oilers e angazhoi në draftin e vitit 2014 si zgjedhjen e tretë. Me kuptimin e plotë të fjalës, Draisaitl është lojtari më i talentuar i hokejit në akull, të cilin e ka nxjerrë Gjermania ndonjëherë. Me vetëm 24 vjet, Draisaitl e ka stabilizuar veten jo vetëm si lojtarin më të mirë në ekip, por edhe më të mirin në NHL – ligën më të fortë në botë të hokejit në akull.

“Unë vetëm po bëj punën time dhe po mundohem që pritjes së gjatë të tifozëve për sukses t’i jap fund”, tha shkurt Draisaitl.

Djali i ish-lojtarit të Gjermanisë, Peter Draisaitl, tani është njëri prej lojtarëve kryesorë te Edmontoni, së bashku me talentin Connor McDavid.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore")