Drejtuesit e skuadrës së Leipzigut nuk po llogaritin në shërbimet e Dani Olmos për sezonin e ardhshëm. “Bild” ka njoftuar të mërkurën se te Leipzigu kanë marrë vendim për ta nxjerrë në shitje Olmon, pasi spanjolli ka refuzuar rinovimin e kontratës që i skadon vitin e ardhshëm.
Për ta lënë të lirë Olmon në verë, skuadra gjermane po kërkon 30 milionë euro. 24-vjeçari prej vitit 2020 është pjesë e Leipzigut, ndërsa këtë sezon ka 4 gola e 6 asistime në 25 paraqitje në të gjitha garat.
Më herët është raportuar se interesim për Olmon kanë treguar skuadrat nga Spanja, si Real Madridi, Barcelona e Atletico Madridi. Por, së fundmi, në garë për Olmon është futur edhe Paris Saint-Germaini.