Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Leipzigu kërkon të bëjë historinë te Bayerni

Nëse nuk arrin ta mposhtësh Bayern Munichun, me statistika nuk ke shans ta fitosh Bundesligën.

Në 30 vjetët e fundit, vetëm Borussia Dortmundi në vitin 2001 ka arritur ta fitojë titullin pa e mposhtur Bayern Munichun që mban rekordin me tituj në Bundesligë.

E nëse Leipzigu ka aspirata për të dalë në krye të tabelës, duhet ta gjejë mënyrën për t’i mposhtur bavarezët, transmeton KOHA.

Vetëm dy pikë e ndajnë Bayernin në vendin e parë nga Leipzigu në vendin e dytë.

Sidoqoftë, ndjekësit e bavarezëve janë në kërkim të fitores së parë në udhëtim në stadiumin “Allianz Arena”, ku lideri i Bundesligës nuk e ka humbur për një vit në të gjitha garat.

Qëkur doli në Bundesligë në edicionin 2016/17 pasi erdhi nga rangu i tretë i futbollit gjerman, Leipzigu e ka mposhtur vetëm një herë në 10 ndeshje Bayernin, por asnjëherë si mysafir. Tri ndeshjet e fundit kanë përfunduar në barazim.

Në katër vizitat e fundit në “Allianz Arena”, Leipzigu është mposhtur 3:0, 2:0 dhe 1:0, para se të barazonte pa gola në muajin shkurt.

Pasi mposhti Borussia Dortmundin 3:2 në muajin e kaluar në duelin e skuadrave të para në tabelë, Bayerni e ka shansin që ta largojë nga gara edhe një tjetër kundërshtar.

Kapiteni Manuel Neuer dhe Robert Lewandowski u pushuan të martën në barazimin 1:1 me Atletico Madridin, ndërsa Bayerni e ka siguruar kalimin tutje.

Nga ana tjetër, Julian Nagelsmann, trajneri i Leipzigut, është i pakënaqur me orarin e ndeshjeve, pasi luan me Bayernin fillimisht, e më pas edhe me Manchester Unitedin në Ligën e Kampionëve.

Bayer Leverkuseni dhe Borussia Dortmundi janë përcjellësit tjerë të liderëve. Leverkuseni luan të dielën në udhëtim te Schalke nga ora 18:00, kurse Dortmundi luan të shtunën si mysafir i Eintracht Frankfurtit nga ora 15:30.

Artikuj të ngjashëm