Drejtori sportiv i Leipzigut, Max Eberl, ka thënë se nuk ka marrëveshje ndërmjet klubit gjerman dhe atij anglez, Manchester Cityt, për mbrojtësin kroat, Joshko Gvaridol.
21-vjeçari vlerësohet rreth 100 milionë euro dhe nëse kjo shumë paguhet nga City atëherë Gvardiol do të bëhet mbrojtësi më i shtrenjtë në histori të futbollit.
“Shumë gjëra janë shkruar dhe informata e fundit për Joshkon na ka befasuar të gjithëve. Për momentin jemi shumë larg. Siç mund ta shihni Joshko është këtu, kështu që nuk ka të vërtetë asgjë. Madje nuk ka bërë as teste mjekësore, jo për aq sa dimë ne. Dhe nuk mendoj se ka punuar pas shpinës sepse ai është profesionist. Nuk ka marrëveshje”, ka thënë Eberl.
Gvardiol ka zhvilluar 87 ndeshje për klubin gjerman, qëkur u transferua nga Dinamo e Zagrebit në korrik të vitit 2021.
Në edicionin e fundit shënoi gol kundër Cityt, në ndeshjen e parë të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve. Me Kroacinë ka zhvilluar 21 ndeshje qëkur debutoi në vitin 2021 dhe ndihmoi kroatët të përfundonin në vendin e tretë në Botërorin e Katarit.