Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Legjenda e UFC-së vendos të pensionohet

Amanda Nunes ka marrë vendim që të pensionohet nga sporti i Arteve Marciale të Përziera (MMA).

Braziliania e ka konfirmuar vendimin e saj pasi e mposhti Irene Aldanan në meçin kryesor të mbrëmjes së UFC-së të mbajtur të shtunën mbrëma në Kanada.

Nunes, e cila njihet si legjendë e MMA-t, ka bilanc prej 22 fitore në 27 luftëra ndërsa ka fituar titull kampioni të UFC-së në dy kategori të ndryshme.

Image

UFC-ja është seria më e madhe e MMA-t.

Nunes gjatë karrierës së lavdishme ka fituar ndaj emrave si Ronda Rousey e Julianna Pena.

“Sonte është nata perfekte për t’u pensionuar”, tha Nunes, duke shokuar botën e sportit.

Nunes dominoi përballjen me Aldanan duke mbrojtur për herë të gjashtë titullin në kategorinë bantam. Ajo triumfoi me vendim unanim. Për të ishte fitorja e 16-të në UFC, që është rekord për konkurrencë të femrave. Pos titullit në kategori bantam, Nunes ka qenë edhe pronare e titullit në kategori pendël.

Ajo është luftëtarja e vetme që i ka mbrojtur dy tituj të UFC-së. Pas vendimit për të kumtuar pensionimin, Nunes vendosi të dy rripat e kampionit në ring pasi iu ngrit dora si fituese.

 

Artikuj të ngjashëm