Sulmuesi i Leeds Unitedit, Patrick Bamford mund të kthehet nga lëndimi për ta ndihmuar ekipin e tij në luftën për mbijetesë në Premier League, kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në fund të sezonit. Bamford ka qenë i limituar në vetëm nëntë paraqitje këtë sezon, por trajneri Jesse Marsch është optimist se ai do të jetë në gjendje të luajë të dielën në duelin kundër Brightonit në stadiumin “Elland Road”.
“Do t’i vlerësojmë gjërat gjatë këtyre ditëve”, tha trajneri amerikan të premten. “Dua t’ia jap rastin për të vazhduar zhvillimin duke e inkuadruar në dy ndeshjet e fundit”.
Bamford shënoi 17 gola sezonin e shkuar, por këtë edicion ka pasur lëndime të shumta, përfshirë atë të këmbës që e ka mbajtur jashtë fushe që nga muaji mars. Ai ka shënuar dy gola në kampionat këtë edicion. Sulmuesit tjerë, Jack Harrison e Raphinha do të jenë të gatshëm për lojë, ndonëse në duelin e fundit ndaj Chelseat e lëshuan fushën të lënduar. Raphinha është golashënuesi më i mirë i ekipit me dhjetë gola të realizuar deri më tani në ligë. Leedsi ka 34 pikë, sa i ka edhe Burnley në pjesën e poshtme të tabelës.
Mirëpo Leedsi renditet i 18-i, pozitë kjo që dërgon në Championship sezonin tjetër, dhe po ashtu ka një ndeshje më shumë të luajtur se Burnley. Ka edhe goldallimin më të dobët dhe misioni i trajnerit Marsch që e zëvendësoi Marcelo Bielsan në fund të muajit shkurt është shumë i vështirë. Kundërshtari i Leedsit, Brightoni është i qetë në mesin e tabelës dhe në dy ndeshjet e fundit ka shënuar fitore bindëse në Premier League. Fillimisht, triumfoi 3:0 ndaj Wolverhamptonit përpara se ta mposhtë Manchester Unitedin me rezultatin 4:0. Në të dy ndeshjet, gola për Brightonin ka shënuar Leandro Trossard.
“Ndeshja me Brightonin mund ta definojë sezonin tonë, kjo është më se e sigurt. Këtë e kemi parasysh dhe duhet të japim gjithçka nga vetja, jo vetëm ta fitojmë këtë ndeshje, por edhe tjetrën për t’i mbajtur shpresat gjallë që të luajmë në Premier League edhe sezonin e ardhshëm”, ka thënë Marsch, ekipi i të cilit e luan ndeshjen e fundit të këtij edicioni në udhëtim te Brentfordi.
Sa i përket Burnleyt, që po ashtu po lufton për të siguruar mbijetesën, të dielën do të luajë në udhëtim te Tottenhami, përpara se të enjten tjetër të përballet me Aston Villan dhe sezonin ta mbyllë në shtëpi kundër Newcastle Unitedit.