Ekipi nga Premier League, Leeds Unitedi, po synon transferimin e sulmuesit Mërgim Berisha, i cili është pjesë e Fenerbahçes. Mediumet turke kanë njoftuar të hënën se Leedsi është në negociata të avancuara me Fenerbahçen dhe gjasat janë të mëdha që Berisha të transferohet në Angli.
Thuhet se për kartonin e Berishës, Leedsi ka ofruar pesë milionë euro dëmshpërblim. Ndërkohë, sulmuesit i është ofruar kontratë katërvjeçare për ta vazhduar karrierën në Premier League. Berisha është pjesë e Fenerbahçes prej vitit të shkuar kur iu bashkua nga Salzburgu, por 24-vjeçari nuk ka bindur me paraqitjet e tij në sezonin e parë në Turqi.
Ai ka shënuar shtatë gola dhe ka bërë tri asistime në të gjitha garat për Fenerbahçen, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2025.