Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Lazio kërkon rimbursim nga ultrasit

Lazio u ka dërguar letër tifozëve që kanë bërë përshëndetje fashiste gjatë ndeshjes të Ligës së Evropës kundër Rennesit, duke kërkuar 50 mijë euro dëmshpërblim.

Klubi po mundohet të marrë masa ndaj grupit ultras që po vazhdon t’ia njollosë emrin, jo vetëm në Itali, por edhe në Evropë.

Rasti në fjalë kishte ndodhur gjatë ndeshjes të Ligës së Evropës kundër Rennesit më 3 tetor, ndërsa UEFA mbylli një pjesë të tribunave në “Stadio Olimpico” si ndëshkim për ndeshjen e radhës dhe e gjobiti skuadrën italiane me 20 mijë euro, transmeton Koha Ditore.

Presidenti i Lazios, Claudio Lotito, ka vendosur t’u dërgojë letër gjithë tifozëve që janë identifikuar që kanë bërë përshëndetje fashiste.

“Nga xhirimet e bëra nga UEFA dhe nga hetimet policore që kanë pasuar, ka dalë se jeni përgjegjës për sjelljen e dënueshme dhe akuzat do të ngrihen ndaj teje. Lëre anash aspektin penal të sjelljes tënde, kjo po ashtu ka shkaktuar dëme serioze ekonomike për klubin, me humbje të shitjeve të biletave dhe gjoba, që llogaritet në së paku 50 mijë euro. Pos kësaj, sjellja jote ka shkelur kodin etik të caktuar për tifozët, si rasti i juaj, që ke blerë biletë dhe je pajtuar të respektosh kodin. Pasi vetëm tifozët e identifikuar janë përgjegjës për dëmtimin e klubit, jeni të ftuar të na kontaktoni në mënyrë që të pajtoheni për metodën e pagesës për të rimbursuar Lazion. Në ndërkohë, ne informojmë se do të jeni të ndaluar të futeni në ‘Stadio Olimpico’ në tri ndeshjet e radhës”, është shkruar në letrën, e cila i është nisur çdo tifozi të identifikuar.