Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) u ka bërë apel tifozëve pas dënimit që mori nga UEFA me vlerë prej 44 mijë euro për hedhjen e fishekzjarrëve në fushë, hedhjen e sendeve të forta, bllokimin e rrugëve të kalimit në sektorë të caktuar dhe mbylljen e pjesshme të stadiumit në tribunat veriore dhe jugore. Mbyllja e këtyre tribunave është me kushtin që në ndeshjet e zhvilluara në shtëpi të mos ketë asnjë ndezje fishekzjarri në stadium. Vendimi për mbylljen e stadiumit është pezulluar për një periudhë prove, duke filluar nga ndeshja e radhës në shtëpi me Republikën Çeke.
“Mbyllja e stadiumit do të ishte e dëmshme për ekipin tonë Kombëtar në këto momente ku objektivi i synuar kërkon të ketë pranë dhe lojtarin e 12-të.
Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron t’u bëjë thirrje të gjithë tifozëve që mbështesin pa kushte Kombëtaren të jenë korrekt me sjelljen e tyre në stadium, të mos përdorin mjete piroteknike të cilat do të dënojnë skuadrën dhe tifozët në ndeshjet e ardhshme që janë vendimtare për fatin tonë drejt ‘Gjermani 2024”, shkruan në njoftimin e FSHF-së.