Laura Fazliu ka mbetur pa medalje në Botëror, por megjithatë ka vazhduar ngritjen me paraqitjen e së mërkurës në Doha të Katarit. Laura përfundoi e shtata në kategorinë deri 63 kilogramë. Ajo ka fituar 520 pikë në ranglistën botërore dhe po marshon drejt Lojërave Olimpike.
Në dy botërorët e kaluar, Laura Fazliu ishte ndalur në luftërat e para. Në Botërorin në Doha iu afrua medaljes. 22-vjeçarja nisi ditën me fitore ndaj Nadia Guimendego të Republikës së Afrikës Qendrore. Ndaj saj fitoi bindshëm për pak më shumë se një minutë luftë. Me uazari e mposhti kroaten Iva Oberan në rundin e dytë. Më pas e mposhti xhudisten me përvojë nga Brazili, Ketleyn Quadros. Quadros është xhudiste me përvojë shumë të gjatë dhe ish-medaliste olimpike. Por ndaj saj Laura ishte dominante. Fillimisht realizoi hedhje të bukur për uazari e më pas me një tjetër aksion të bukur kompletoi fitoren.
Quadros ishte bartësja e katërt, pra xhudistja më e ranguar në grupin e Laurës. Me fitore ndaj saj vlerësohej se Laura hapi rrugën për medaljen e parë botërore. Laura kishte dorën e fashuar në duel ndaj saj e ndërkohë pësoi edhe një lëndim të hundës. Por vazhdoi para.
Andreja Leshki e Sllovenisë ishte kundërshtare e kosovares në çerekfinale. Me Leshkin, Laura i kishte fituar dy përballjet e kaluara. Por sllovenia shfaqi më shumë të mërkurën dhe kaloi tutje.
Në repesazh, Laura Fazliu kishte të bënte me hungarezen Szofi Ozbas. Ndaj saj kishte dy aksione të rrezikshme që për pak nuk sollën pikë. Dhe kur pritej që Laura dominimin ta shndërronte në fitore, Ozbas realizoi kundërsulm për fitore me Ippon.
Laura është e ardhmja e sportit kosovar. Vjet ishte nënkampione evropiane për të rritura, e para në Lojërat Mesdhetare dhe e para në Evropianin U23. E dyta u rendit edhe në Mastersin në Jerusalem, garë që mbledh xhudistët më të mirë nëpër kategori. Sivjet ishte e treta në Grand Slamin në Tel Aviv dhe e dyta në Grand Slamin në Tbilisi. Pas vendit të shtatë në Botëror, Laura pritet të vazhdojë me gara, ndërsa fokusi për këtë vit do të jetë Evropiani. Megjithatë synimi kryesor i saj dhe i trajnerit Driton Kuka është që në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” të arrihet kulmi i formës.
Kosova ende nuk ka medalje në Botëror, ndërsa kanë garuar edhe Distria Krasniqi, Erza Muminoviq, Nora Gjakova, Flaka Loxha e Akil Gjakova. Distria e Nora janë afruar me medaljet, por pa zënë vend në podium.
Të premten garon Loriana Kuka, që është xhudistja e fundit e Kosovës në Botërorin në Doha. Po del të jetë një Botëror sfidues, me konkurrencë të jashtëzakonshme, por prej të cilit ekipi i Kosovës do të dalë më i fortë se që ishte deri më tani.