Sport

Driton Kuka i bindur: Laura Fazliu me pak përmirësime fiton medalje olimpike

Kosova ka mbetur pa medalje në Kampionatin Botëror të xhudos që po mbahet në Doha të Katarit. Pas disa vjetësh, Kosova nuk fitoi medalje në Botëror.

Trajneri Driton Kuka është i vetëdijshëm që prej Kosovës pritej medalja, por e vlerëson rezultatin e përgjithshëm në Botëror. Distria Krasniqi përfundoi e pesta, ndërsa Nora Gjakova e Laura Fazliu u renditën të shtatat. Kanë garuar edhe Akil Gjakova, Loriana Kuka, Flaka Loxha e Erza Muminoviq.

Të premten për KOHËN, Kuka ka analizuar paraqitjen e Laura Fazliut, xhudistes kosovare me potencialin më të madh për të ardhmen. Laura nisi shkëlqyeshëm garën në kategorinë deri 63 kilogramë. Rreshtoi tri fitore, duke përfshirë atë ndaj brazilianes Ketleyn Qaudros, që ishte bartësja e katërt në kategori dhe llogaritej më e forta në grupin e Laurës. Pas fitores së madhe erdhi shoku i madh.

“Është e pabesueshme ajo që ndodhi”, ka thënë Kuka. Në çerekfinale, krejt papritur, Laura pësoi nga sllovenja Andreja Leshki. Ndaj saj kishte dy fitore. Laura e mposht rregullisht sllovenen edhe në stërvitjet e shpeshta të përbashkëta. Por jo në Botëror. Leshki më pas e mposhti holandezen Joanne Van Lieshout dhe në finale pësoi nga ikona franceze, Clarisse Agegnenou. Është rrugëtimi që i parashihej Laurës. Për më tepër, ajo ka mposhtur francezen javë më parë. Pra, shumë lehtë do të mund të shpallej kampione e botës. Në vend të saj përfundoi e shtata.

Trajneri Kuka dyshon që Laura para kohe e pa veten në podium. Ajo humbi në repesazh nga hungarezja Szofi Ozbas dhe kështu mbeti jashtë garës për medalje. Edhe Ozbas vlerësohet e nivelit inferior në krahasim me cilësinë që ka Laura. Por ajo u kthye në shtëpi me medalje bronzi.

“Dyshoj që e ka parë veten në finale dhe kjo e nxori nga kontrolli. Realisht Laura është potencial shumë, shumë i madh për medalje olimpike. Nëse arrijmë që t’i kontrollojmë emocionet që i sjell dita e madhe, atëherë nuk ka kush ta ndalë. Është në rang me Clarisen dhe xhudisten nga Japonia. Koha punon për Laurën. Kishte rast shumë të mirë. Jam optimist se edhe Clarisen do ta përballonte në finale. Por e ardhmja i takon asaj. Nuk kam dilema për këtë”, ka theksuar Driton Kuka.

Atë nuk e brengos mbetja pa medalje në ngjarjen kryesore të vitit. E di që ekipi është në rrugën e duhur për të fituar medalje në Lojërat Olimpike të vitit të ardhshëm. Ky është synimi i madh i Kukës. Dhe me paraqitjen në Botëror e di se Laurën tashmë e ka adut të madh.