Grand Slami i Abu Dabit, që përfundoi të dielën, është gara e fundit e xhudistëve elitarë kosovarë për vitin 2025. Në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, xhudoja kosovare fitoi tjetër medalje të vlefshme.
Distria Krasniqi ishte e treta në kategorinë deri 52 kilogramë. Laura Fazliu u rendit e pesta në kategorinë deri 63 kilogramë, ndërsa Shpati Zekaj u ndal në luftën e dytë në kategorinë deri 100 kilogramë. Ishte kjo një mbyllje pozitive e një tjetër viti shumë të suksesshëm për xhudon kosovare. Por edhe shumë sfidues.
Ende pa nisur periudha kualifikuese për Lojërat Olimpike 2028, trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, e ka shfrytëzuar 2025-ën për të rritur bazën e xhudistëve. I ka kushtuar më shumë kohë punës me të rinj. Dhe frytet e punës së bërë këtë vit priten viteve të ardhshme.
Xhudistët elitarë nuk morën pjesë në shumë gara, por në kryesorët shfaqën nivelin që kanë. Po ashtu janë sfiduar nga lëndime jo të lehta. Laura Fazliu ka pasur telashe me lëndime gjatë këtij viti, sidomos në pjesën e dytë të tij. Akil Gjakova ende është duke e sanuar një lëndim. Lëndime kanë pasur edhe xhudistët e tjerë që vlerësohen e ardhmja.
Formë konstante ka shfaqur kampionia dhe nënkampionia olimpike, Distria Krasniqi. Ajo nisi me të bronztë në Grand Slamin e Parisit. Më pas fitoi të argjendtë në Grand Prix të Austrisë. Në prill e fitoi të artën në Kampionatin Evropian në Podgoricë, ndërsa në qershor u shpall nënkampione e botës. Pas Botërorit pushoi më gjatë. U kthye më 14 nëntor në Grand Prix në Zagreb, ndërsa fitoi të artën. Dhe të premten e shtoi edhe një medalje bronzi në koleksionin shumë të pasur.
Distria po dëshmon vazhdimisht që është kandidate shumë e fortë për medaljen e tretë olimpike. Nëse zë vend në podium në “Los Angeles 2028”, do të shkruajë histori të rrallë. Ajo ka të artë nga Tokio 2020 dhe të argjendtë nga Parisi 2024.
Laura Fazliu ka garuar më pak. Në Austri, në Grand Prix fitoi medalje bronzi. Në Botëror po ashtu ishte e treta, ndërsa të shtunën për pak mbeti pa medalje. Momenti kulmor i këtij viti për Laurën mbetet vendi i tretë në botë.
Akil Gjakova ishte i dyti në Grand Slamin në Paris, ndërsa në Evropian ishte i shtati. Pas Botërorit, ku mbeti pa medalje, nuk ka garuar më.
Në Paris medalje fitoi edhe Nora Gjakova – të bronztë. Kampionia olimpike nuk ka garuar më dhe nuk pritet të garojë.
Shenja pozitive kanë dhënë edhe Shpati Zekaj, Flaka Loxha, Fationa Kasapi, Dardan Cena e ndonjë tjetër. Por pa fituar medalje në garat e mëdha – ato të Turit Botëror të Xhudos.
Medalje nga xhudoja janë fituar edhe në garat e grupmoshave të reja, sidomos ato të kadetëve. Më shumë medalje e suksese priten vitin e ardhshëm. Puna që kryemjeshtri Kuka dhe ekipi i tij i trajnerëve bëjnë është garanci për këtë.