Sport

Laura kaloi legjenda e kampione për të konfirmuar rritjen e madhe

Laura Fazliu kishte shumë gjëra kundër të premten. Vinte pas dy garave të pasuksesshme, nuk kishte medalje në nivelin ku po garonte dhe e kishte shortin më të vështirë të mundshëm.

Dhe doli mbi të gjitha. E fitoi medaljen e bronztë në Grand Slamin në Tel Aviv të Izraelit. Për 22-vjeçaren është medalja e parë në garat e nivelit Grand Slam. Ajo fitoi po ashtu 500 pikë shumë të rëndësishme për ranglistën botërore dhe bëri hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në Lojërat Olimpike. Fitoi respektin e ekspertëve të IJF-së dhe për më tepër dëshmoi se mund të matet me më të mirat në botë. Me legjendat e xhudos po ashtu.

Që në nismë të garës në kategorinë deri 63 kilogramë, Laura e kaloi kampionen evropiane nga viti i kaluar, britaniken Gemma Howell. Prej saj kishte humbur në finale të Evropianit vitin e kaluar. Pra u revanshua.

Më pas e kaloi hungarezen Brigitta Varga, për t’u ndalur në çerekfinale nga bartësja e parë, fituesja e medaljeve olimpike e botërore, Catherine Beauchemin-Pinard (Kanada).

Humbja e vendosi përballë legjendës së xhudos, francezes Clarisse Agbegnenou. Ajo po kthehej në gara dhe nuk ishte në formën më të mirë. Por kjo assesi nuk e konteston vlerën e madhe të fitores së Laurës. Agbegnenou është kampione në fuqi olimpike, ka pesë tituj të botës e pesë tituj të Evropës. Pra është prej më të mirave në histori. Por nuk ishte më e mirë se Laura, të premten në tatamin e Tel Avivit.

Me fitoren ndaj francezes, Laura Fazliu siguroi luftën për medalje të bronztë. Përballë e kishte izraeliten Gili Sharir. Ajo kishte përkrahjen e tifozëve në palestër, por që nuk i kreu punë. Laura shfaqi nivel të lartë dhe fitoi pa u rrezikuar.

“Fazliu e ka menaxhuar shumë mirë garën gjatë tërë ditës. Në garat e fundit ajo ka pasur disa fitore të mira. Por sot me të vërtetë ka filluar të tregojë konsistencë dhe të duket si pretendente. Medalja e bronztë është shpërblim i duhur për punën që po e bën. Trajnerja që e udhëhoqi nga këndi, Majlinda Kelmendi, e di se çka kërkohet dhe po e bart në grupin e radhës së garuesve elitarë të Kosovës”, shkruan në analizën teknike të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, që e ka bërë një ekspert i xhudos.

Medaljeve të argjendta nga Evropiani dhe Mastersi, Laura ua ka shtuar të bronztën nga Grand Slami.

Natyrisht, ajo ka shumë gjëra për të mësuar dhe rritja e saj do të vazhdojë. Ndër të tjera duhet të përgatitet që të përballojë xhudistet e nivelit të kanadezes Beauchemin-Pinard prej së cilës ka dy humbje së fundi.

Laura është garuesja e vetme e Kosovës në Tel Aviv. Por me një garuese, Kosova ka fituar medalje. Dhe ka vazhduar ecuria e veçantë e këtij viti. Në të gjitha katër garat ku mori pjesë, ekipi i Kosovës në xhudo fitoi medalje. Kjo seri synohet të vazhdohet gjatë.

“Fitorja ndaj francezes është me vlerë të madhe për vetëbesimin e Laurës. Ajo është në ngritje të vazhdueshme, por natyrisht ka hapësirë për përmirësim. Duhet të funksionojë edhe më mirë në gara. Sot megjithatë ishte në nivel të lartë dhe me meritë ishte në podium”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Ai nuk ishte me Laurën në Izrael. Nga këndi, si në garat e kaluara, Laurën e ka udhëhequr Majlinda Kelmendi. Dhe Majlinda po ashtu po shndërrohet në një top-trajnere, pas karrierës plot shkëlqim si xhudiste.