Sport

Laura Fazliu për herë të parë në Top-10 të ranglistës botërore

Sukseset në garat e fundit i kanë mundësuar Laura Fazliut që të zërë vend në Top-10 të ranglistës botërore të xhudos. Në ranglistën e publikuar të hënën, xhudistja 22-vjeçare renditet e nënta në kategorinë deri 63 kilogramë.

Laura të shtunën fitoi medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Tbilisit, për të cilin sukses i takuan 700 pikë në ranglistë. Ajo pati ditë të madhe deri në finale. Rrugës e mposhti kampionen në fuqi të Evropës, britaniken Gemma Howell, dhe bartësen e tretë, Katharina Haecker. Gjithsej i kishte katër fitore.

Në finale, Laura përballë e kishte bartësen e parë, britaniken tjetër, Lucy Renshall. Ndaj saj zhvilloi luftë të fortë dhe plotësisht të barabartë. Kërkoi vazhdimisht hedhjet, njëjtë si britanikja, ndërsa gjyqtarët i dhanë dënimin e tretë në kohën shtesë. Trajneri Driton Kuka ka vlerësuar se gjykimi nuk ishte i drejtë dhe se Laura nuk e ka merituar të humbë me dënime. Kuka, megjithatë, është i kënaqur me paraqitjen e Laurës në Tbilisi.

I kënaqur është, po ashtu, që Laura Fazliu tashmë është në Top-10 të ranglistës botërore.

Para garës në Gjeorgji, Laura ishte e 11-ta në ranglistë. Tani është dy pozita më lartë.

“Për një pozitë nuk është bartëse në Botëror, por natyrisht ngritja e saj është evidente”, ka thënë Driton Kuka për KOHËN.

Për Laurën medalja e së shtunës ishte e dyta e madhe këtë vit. Në Grand Slamin në Tel-Aviv ishte renditur e treta. Në dhjetor ishte e dyta në Masters, ndërsa vjet suksesin më të madh e kishte në Evropian, ku doli nënkampione.

Në Tbilisi, medalje të argjendta fituan edhe Distria Krasniqi e Nora Gjakova, kampionet olimpike. Distria është ngritur prej vendit të tretë në të dytin në ranglistën e kategorisë deri 52 kg. Para saj është vetëm britanikja Chelsie Giles dhe atë për 40 pikë. Distria është në seri të gjatë të garave të përfunduara me medalje.

Nora Gjakova ka mbetur e teta në ranglistën botërore në kategorinë deri 57 kilogramë. Për shkak të një lëndimi të krahut, Nora vjet ka garuar pak. Sivjet e regjistroi garën e parë.

Prej 31 marsit deri më 2 prill mbahet Grand Slami në Antalya të Turqisë, ndërsa xhudistet kosovare nuk do të jenë atje. Do të garojnë Akil Gjakova e Dardan Cena.

Këtë vit Botërori mbahet shumë më herët. Është vendosur të mbahet në Doha të Katarit prej 7 deri më 13 maj. Kosova synon të marrë pjesë me shumë xhudistë e po ashtu të kthehet me medalje të fituara.