Si kampione olimpike, Distria Krasniqi e Nora Gjakova janë pretenduese për medalje në Kampionatin Botëror të Xhudos, që të dielën fillon në Doha të Katarit. Ndërkohë Laura Fazliu, me gjithë ngritjen e hovshme në vitet e fundit, nuk llogaritet në mesin e favoriteve.
Laura do të garojë në kategorinë deri 63 kilogramë, në ditën e katërt të Botërorit, përkatësisht të mërkurën e ardhshme. 22-vjeçarja nuk është bartëse dhe rrjedhimisht nuk llogaritet një nga favoritet. Laura është e 11-ta në ranglistën botërore dhe është edhe e 11-ta prej xhudisteve të ranguara në Botëror, në kategorinë e saj. Të gjitha xhudistet e ranguara në dhjetë pozitat e para në 63 kg janë pjesë e Botërorit. Kjo dëshmon se konkurrenca do të jetë e jashtëzakonshme.
Pos ranglistës, në favor të Laurës nuk shkon as përvoja në Botëror. Ajo për herë të tretë paraqitet në Kampionatin Botëror për seniorë. Në dy pjesëmarrjet e para ishte eliminuar në luftërat e para.
Laura Fazliu, megjithatë, është kandidate për medalje botërore. Forma e shfaqur së fundit dhe ngritja e madhe i japin gjasa asaj. Më 24 mars, në Grand Slamin në Tbilisi, Laura ishte e dyta. Më 16 shkurt, në Grand Slamin në Tel-Aviv, u rendit e treta. Në dhjetor ishte e dyta në Mastersin në Jerusalem. Mastersi mbledh vetëm xhudistët më të mirë nëpër kategori. Vjet Laura ishte, po ashtu, e para në Evropianin U23, e para në Lojërat Mesdhetare dhe e dyta në Evropianin për seniore.
Gjithë këto rezultate nuk janë të rastësishme. Janë rezultat i nivelit që tashmë e ka Laura, falë punës me trajnerin Driton Kuka.
Edhe
Kthimi i Laura Fazliut në momentin e duhur
Në Tel-Aviv, Laura e ka mposhtur legjendën botërore, francezen Clarisse Agbegnenou. Ajo, po ashtu, nuk është në mesin e bartëseve në Botëror, por është prej favoriteve të mëdha për medalje.
Laura në dy vjetët e fundit ka mposhtur të tjera xhudiste të mëdha. Dhe shikon para me optimizëm drejt Botërorit në Katar.
“Xhudistja e fundit që mposhti superyllin francez ishte ‘motori’ i Kosovës, Laura Fazliu, që renditet e 11-ta. Si gjithnjë, ajo do të kërkojë të fitojë medalje për përfaqësuesen e saj të ranguar lart”, ka shkruar Unioni Evropian i Xhudos.
Ka plot xhudistë nëpër kategori që nuk janë bartës e që mund të futen në garë për medalje. Akil Gjakova është në këtë listë. Akili është i 39-ti më i ranguari në kategorinë deri 73 kg. Akili ka munguar gjatë nga garat dhe për këtë ka rënë në ranglistën botërore. Po bën përpjekje për t’u kthyer në Top-10.
“Akil Gjakova mungon në Top-8. Ndonëse Akili ka qenë në kërkim të formës së fundit, skuadra (e Kosovës v.j.) di si të arrijë kulmin në momentin e duhur”, ka shkruar Unioni Evropian.
Bartëse nuk është as Loriana Kuka. Ajo është e 16-ta e ranguar në kategorinë deri 78 kilogramë. Loriana, po ashtu, ka pasur telashe me lëndime dhe rënie të formës së fundi. Por po punon për kthim në majë. 26-vjeçarja tashmë ka medalje në Kampionat Botëror. Në vitin 2019 fitoi medaljen e bronztë.
“Një tjetër as i Kosovës, Loriana Kuka, që tashmë është medaliste botërore, shtohet në listën e xhudistëve të fortë që nuk janë bartës”, ka shkruar EJU.
Edhe
Kosova me dy bartëse të para e një të dytë në Evropian
Erza Muminoviq në kategorinë deri 52 kilogramë dhe Flaka Loxha në kategorinë deri 57 kilogramë do të mundohen të shkojnë sa më larg që është e mundur. Në kategorinë deri 52 kg garon Distria Krasniqi, ndërsa në atë deri 57 kg, Nora Gjakova.
Botërori në Doha vlerësohet jashtëzakonisht i fortë, por gjithsesi Kosova ka adutët e saj për medalje.