Sport

Lala: Rashica synon të luajë në Champions stinorin e ardhshëm

Interesimin e shumë klubeve të mëdha evropiane për Milot Rashicën e ka konfirmuar menaxheri i yllit kosovar, Altin Lala, i cili e pranon se 23-vjeçari do të largohet nga Werderi Bremeni gjatë verës.

Në një intervistë për “Sportin në KTV”, Lala ka thënë se Miloti dëshiron të luajë në Ligën e Kampionëve në sezonin tjetër dhe pikërisht klubet e interesuara luajnë në garën më të madhe evropiane.

Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë nuk zbuloi emra të ekipeve, por nuk i mohon interesimet e Liverpoolit e Borussia Dortmundit. Lala theksuar se Lazio nuk është në mesin e ekipeve të interesuara, pavarësisht miqësisë që ka me Igli Taren. Sipas tij, Milot Rashica ka bërë zgjedhjen e duhur që të luajë për Kombëtaren e Kosovës.

“Ka shumë klube të interesuara për të marr të drejtat e Milotit për sezonin tjetër. Por për momentin, natyrisht është e pezulluar kjo. Janë disa gjëra që duhet të mbahen në mënyrë diskrete. Shpresojmë që në sezonin tjetër, Miloti të ketë mundësinë të luajë në Ligën e Kampionëve. Kjo është tema ime dhe e Milotit për momentin. Ka pasur skuadra shumë interesante që janë interesuar për Milotin, të cilat vazhdimisht luajnë në Ligën e Kampionëve dhe janë të përshtatshme për Milotin. Për momentin nuk mund të jap asnjë emër të skuadrave dhe besoj që do të mirëkuptoni të gjithë, pasi nuk mund të flas në këtë kohë. Kur të arrijmë marrëveshje, sigurisht do të kuptoni të gjithë. Besoj brenda 2-3 javësh do a marrim një vendim dhe do ta kuptoni të gjithë”, ka thënë Lala.

Intervistën e plotë të Altin Lalës për Kohavisionin do të mund të ndiqni sonte në kuadër të bisedës në Interaktiv, nga ora 23:20, ku ndër të tjerash ai flet edhe për talentet e shumtë që ka në Kosovë, temën një apo dy kombëtare, për Gianni De Biasin që nuk e ftoi Rashicën në Evropian dhe polemikat që kishte me italianin, si dhe disa tema të tjera.