Sport

Lala për Rashicën: E njohin të gjitha klubet e Evropës

Milot Rashica ishte një prej lojtarëve të pëlqyer nga tifozët e Norwich Cityt. Rashica ka pasur disa ndeshje të mira, por Norwichi nuk realizoi objektivat – largohet nga Premier League.

Skuadra e Rashicës është e fundit në kampionatin anglez me 21 pikë të grumbulluara pas 35 ndeshjeve të zhvilluara. Ka vetëm pesë fitore.

Ndonëse Norwichi largohet, Rashica mund të mbetet edhe më gjatë pjesë e kampionatit elitar të Anglisë.

Menaxheri Altin Lala të martën për KOHËN ka thënë se Rashica është lojtar i dëshmuar dhe nuk ka nevojë për promovim. Lala thekson se Rashicën e njohin të gjitha klubet e Evropës.

“Presim të mbyllet kampionati e më pas do të flasim. E ardhmja e Rashicës do kohë. Tani fillon afati kalimtar i transferimeve dhe do të flasim pasi të mbyllet sezoni”, ka thënë Lala.

Ai nuk ka mohuar interesimin e klubeve të tjera për Rashicën. Por nuk ka përmendur emra. Ish-reprezentuesi i Shqipërisë nuk përjashton mundësinë që karriera e Rashicës të vazhdojë në Premier League.

Mediume të ndryshme kanë raportuar javëve të fundit se interesim për reprezentuesin e Kosovës kanë shprehur disa skuadra në Bundesligë dhe Serie A të Italisë.

Rashica iu bashkua Norwichit verën e shkuar për 11 milionë euro dhe firmosi kontratë të vlefshme deri në vitin 2025. Në 33 paraqitje në të gjitha garat, Rashica ka vetëm dy gola e po aq asistime.

Për 25-vjeçarin është hera e dytë rresht që largohet nga liga. Edicionin e shkuar ai u largua nga Bundesliga me Werder Bremenin. Karrierë para Werderit ka bërë edhe te Vitesse në Holandë.

“Pavarësisht që skuadra e tij nuk funksionoi si duhet sezonin aktual, Miloti me mundësitë që kishte ka treguar lojëra të mira. Ka pasur momente të mira në lojë, pavarësisht se nuk shënoi shumë gola. Ka qenë ndër pikat kryesore të ekipit dhe ka pasur statistika pozitive. Ka qenë shumë aktiv në lojën e Norwichit dhe i rrezikshëm për kundërshtarët. E ardhmja e tij është e hapur. Tani hapet edhe tregu anglez dhe Milotin e njohin të gjithë. Është një lojtar që e njohin të gjitha klubet në Evropë. Ka luajtur në Bundesligë dhe Premier League. Nuk ka nevojë për promovim, por ka ende kohë për të parë se në cilën skuadër do ta vazhdojë karrierën. Besoj se do të jetë një klub i përshtatshëm për të dhe ku do të luajë rregullisht”, është shprehur Lala.