Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Norwichi nuk llogarit në Rashicën për ndeshjen e parë të Championshipit

Sulmuesi i Kosovës, Milot Rashica nuk do të ftohet nga trajneri i Norwich Cityt, David Wagner për ndeshjen e parë të edicionit 2023/24 të Championshipit që nis këtë javë. Në fakt, ai nuk ka zbuluar nëse do të llogarit në Rashicën, nëse ai nuk do të shitet nga Norwichi gjatë kësaj vere.

Wagner ka thënë se Rashica është larg përgatitjes fizike me pjesën tjetër të lojtarëve pasi i është bashkuar më vonë ekipit dhe për këtë arsye nuk do të përfshihet në listë për duelin kundër Hull Cityt.

Këtë ndeshje, Norwichi e luan në shtëpi të shtunën pasdite. Wagner në konferencën për shtyp të enjten ka thënë se nuk e di se çfarë do të ndodh deri në fund të afatit kalimtar të verës edhe pse ka pranuar se pret që disa lojtarë të largohen nga klubi. Rashica edicionin e shkuar ishte i huazuar te Galatasaray, ekip me të cilin e fitoi titullin e kampionit të Turqisë. Ai pritet të rikthehet te Galatasaray por ekipi turk ende nuk ka arritur marrëveshje me Norwichin për blerjen e përhershme të Rashicës. Për ta lënë të lirë Rashicën, ekipi anglez po kërkon të paktën 8 milionë euro.

“Për ata është faza përgatitore. Duhet ende të stërviten për të na zënë për përgatitje dhe për këtë arsye nuk do të jenë të përfshirë për ndeshjen e parë. Askush nuk e di se çka do të ndodh deri në fund të afatit kalimtar. Për momentin, ata janë lojtarë të ekipit tonë. Nëse mbeten këtu edhe pas përfundimit të agatit, atëherë do të isha i lumtur por edhe nëse largohen, do të isha sërish i lumtur për shkak se do ti shisnim për çmimin e duhur”, ka thënë Wagner, duke iu referuar Rashicës dhe mbrojtësit të krahut, Max Aarons. “Kjo është situata aktuale për të cilën nuk kam shumë dëshirë të flas. Sigurisht, që pres të kemi largime por mbetet të shihet deri në fund se si do të shkojnë gjërat”.

Rashica në verën e vitit 2021 iu bashkua Norwichit pas rikthimit në Premier League nga Ëerder Bremeni për 11 milionë euro. Mirëpo, pas rënies së Norwichit në kategorinë e dytë pas një edicioni në elitë, Rashica u huazua te Galatasaray. 27-vjeçari ka kontratë me Norwichin deri në verën e vitit 2025. Edicionin e shkuar, Rashica shënoi 4 gola dhe bëri 7 asistime në të gjitha garat për Galatasarayn, ekip që mbetet favorit për transferimin e tij pasi është në negociata të vazhdueshme me klubin anglez.