Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kufijtë e rihapur të Kinës ofrojnë shpresë për ringjalljen e futbollit

Pas tre vjetësh izolimi dhe vështirësive financiare në futbollin kinez, vendi po rihap kufijtë dhe ekonominë ndaj botës së jashtme. Me këtë, tifozët e frustruar, klubet e sfiduara financiarisht dhe lojtarët e papaguar në Superligën e Kinës mund të marrin lajme të shumëpritura.

Edicioni i vitit 2022 nuk ishte as hija e edicionit 2019, i fundit para COVID-19. Në vitin 2019 liga kishte pjesëmarrje prej mbi 24,000 shikuesve për ndeshje, më e larta në Azi, dhe një numër lojtarësh të huaj që ishin emra të mëdhenj.

Nga viti 2020 e tutje, politika “zero-COVID” e Pekinit, e krijuar për të zhdukur virusin, nënkuptonte që skuadrat kryesisht luanin në stadiume boshe, në ambiente të centralizuara. Lojtarët mbetën të izoluar në flluska “bio-siguruese” për muaj të tërë dhe yjet ndërkombëtare, në pamundësi për të hyrë në vend, u liruan nga kontratat. Kjo nënkuptonte gjithashtu pak të ardhura nga biletat, transmetimet ose sponsorizimet për klubet. Në vitin 2021, kampioni në fuqi Jiangsu FC u shua dhe disa klube të tjera kanë luftuar për të paguar lojtarët.

Hapja e vendit mund të mos nënkuptojë një kthim në shpenzimet marramendëse të dekadës së mëparshme, por është një parakusht për të filluar kthimin në nivelet e para pandemisë. Raportohet se klubet do të luajnë ndeshje në shtëpi dhe jashtë në edicionin 2023.

“Pothuajse ndihet sikur nuk ka pasur asnjë ligë në tre vjetët e fundit, me vonesa, muaj pa ndeshje dhe orare të çuditshme”, tha tifozi i ekipit Shanghai Shenhua, Wang Yi. “Disa tifozë kanë humbur interesin, por unë mendoj se kjo do të ndryshojë kur të bashkohemi sërish në stadium”.

Edhe Pse një superfuqi si Kina dështon në sportin më të popullarizuar në botë? Futboll Pse një superfuqi si Kina dështon në sportin më të popullarizuar në botë?

Për shkak të politikave strikte të qeverisë, ekipet e huaja nuk mundën të hynin në vend, duke e detyruar Kinën të luante kualifikimet Kupës së Botës 2022 në vende neutrale. Kina përfundoi në vendin e fundit në grup, me tetë pikë prapa Omanit.

Ishte planifikuar që Kina të organizonte Kupën e Azisë 2023, në qershor. Por majin e kaluar, Pekini hoqi dorë nga e drejta e organizimit.

“Mbetet për t’u parë nëse dhe sa shpejt futbolli kinez mund të kthehet në ambiciet dhe planet e vitit 2019”, tha Simon Chadwick, profesor i Sportit dhe Ekonomisë, duke shtuar se do të nevojitet ndihma e shtetit. “Është e rëndësishme që sporti jo vetëm të rifillojë, por të fillojë fuqishëm. Sidomos futbolli duhet të ketë ndihmë edhe nga qeveria, pasi në të kundërtën do të ngecë edhe më shumë”.

Pandemia solli rënie edhe në tregun e pronave të Kinës. Me më shumë se gjysmën e klubeve në nivelin më të lartë në pronësi, të paktën pjesërisht, nga kompanitë e pasurive të paluajtshme, kjo ka qenë një çështje e madhe e futbollit.

Evergrande, kompani e pronave, e pa klubin e tij, Guangzhou, i cili fitoi tetë tituj në dekadën e kaluar, të rrëzohet në dhjetor. Kjo ndodhi pasi yjet e ekipit u larguan dhe u zëvendësuan nga lojtarë të rinj vendas. Hapja e vendit pritet të nxisë tregun e banesave veçanërisht pasi në dhjetor bankat shtetërore kineze hapën një linjë kredie me vlerë rreth 460 miliardë dollarë për kompanitë e pasurive të paluajtshme. Mbetet për t'u parë nëse kjo do të lehtësojë barrën financiare të klubeve.

“Dikush dyshon se qeveria kineze do të jetë e prirë të shkëputë futbollin nga marrëdhëniet e mëparshme jo të shëndetshme me investitorët e pronave”, shtoi Chadwick. “Të dy sektorët duhet të zbulojnë njëfarë disipline tregu, ndërkohë që u nënshtrohen udhëzimeve të duhura të shtetit”.

Edhe Kina rihap kufijtë për turistët e huaj Botë Kina rihap kufijtë për turistët e huaj

Tani për tani, tifozët duan vetëm të shkojnë nëpër stadiume dhe të shohin skuadrat e tyre duke luajtur.

“Nuk do ta besoj, deri sa të ndodhë” tha Wang. “Është si kur diçka zhduket, ju e dini se sa do të thotë. Do të jetë shumë emocionuese. Me padurim pres kthimin në tribuna”.