Sport

Kthimi i tifozëve në palestra

Prishtinë, 15 maj – Dy palestra ishin të mbushura me shikues të dielën. Në Pejë, palestra “Karagaçi” është “ndezur” në atmosferë basketbolli. Në Gjilan, në palestrën “Bashkim Selishta – Petriti” mijëra shikues festuan në fundin e një ndeshje të volejbollisteve.

Gara e fortë për titull të kampionit dhe sukseset e skuadrave nga qytetet përkatëse, kanë bërë që shikuesit t’u kthehen palestrave në javët e fundit. Sporti kosovar, sidomos një pjesë e tij, vazhdimisht vuan nga mungesa e shikuesve. Por në javët e fundit ishte ndryshe. Që palestrat të mbushen në më shumë qytete vlerësohet se kanë ndikuar edhe imazhet televizive nga disa salla sportive që tradicionalisht janë përplot, sidomos “Minatori” në Mitrovicë për ndeshjet e Trepçës në basketboll.

Image

Klubi i basketbollit Trepça gjatë gjithë edicionit e ka pasur sallën të mbushur. Gjatë gjithë edicionit kërkesa për biletë ishte e madhe. Në gjysmëfinale të plejofit edhe Sigal Prishtina, Peja e Golden Eagle Ylli kishin përkrahje të madhe të shikuesve. Në finale po vendosen rekorde shikueshmërie. Salla në Mitrovicë dhe në Pejë po mbushen vazhdimisht. Kështu ishte të enjten në “Karagaçi”, ku nuk kishte vende të lira dhe po ashtu në parket ishin qindra shikues të vendosur. Kështu do të jetë të enjten në “Minatori” ku luhet ndeshja vendimtare për titull.

“’Torcidën’ dhe shikuesit mitrovicas ne gjithmonë i kemi lojtarin e gjashtë. Do të jetë një spektakël basketbolli dhe besoj që do t'i gëzojmë ‘Torcidën’ dhe gjithë mitrovicasit”, ka thënë trajneri i Trepçës, Ilir Selmani.

“Nuk është e lehtë të luhet në Mitrovicë”, ka theksuar trajneri i Pejës, Rami Hadar.

As në Pejë, në atmosferën e zjarrtë në dy ndeshjet e fundit, nuk ishte e lehtë për Trepçën. Skuadra mitrovicase i humbi dy takimet dhe kështu titulli do të vendoset në ndeshjen e pestë të serisë finale. Trepça, po ashtu, ka fituar dy ndeshjet në shtëpi.

Në basketboll, në finale të plejofit, palestrat e stërmbushura edhe priten. Por ishte ndoshta befasi që palestrat u mbushën për dy ndeshjet e fundit të plejofit në Superligën e volejbollisteve. Të premten në Skenderaj dhe të dielën mbrëma në Gjilan, skuadrat vendase kishin përkrahje të madhe nga shikuesit. Të dyja ndeshjet i fitoi Drita, që festoi titullin e kampionit dhe vazhdoi dominimin në volejbollin kosovar. Atmosfera në Gjilan, të dielën, ishte shumë e bukur. Është vlerësuar të kenë qenë afro 3.000 shikues. Për një ndeshje të volejbollit është shifër gati e pabesueshme.

Numër solid të shikuesve kishte edhe në finalen vendimtare të volejbollistëve mes Ferizajt dhe Pejës. Peja e fitoi ndeshjen në Ferizaj, të shtunën, dhe festoi titullin e kampionit.

Në hendboll, fokusi i shikuesve duket të jetë në Mitrovicë po ashtu. Derisa në qendrat tjera numri i shikuesve është i vogël, për ndeshjen e së mërkurës së kaluar mes Trepçës dhe Prishtinës në “Minatori” ishin prezentë rreth 1800 shikues. Kjo shifër për ndeshje të hendbollit është e lartë.

Image

Trepça fitoi atë ndeshje e po ashtu fitoi të dielën në Prishtinë dhe bëri vend në finale të plejofit. Në finale takohet me Besa Famgasin, të cilën skuadër e mposhti në finale të Kupës së Kosovës. Trepça e luan edhe një ndeshje para tifozëve të saj, ndërsa shpresat janë që palestra të mbushet. Shpresohet për më shumë shikues edhe në Pejë, ku Besa Famgas megjithatë nuk e ka përkrahjen që vlerësohet se e meriton.

“Besojmë se palestra do të mbushet me shikues. Suksesi në garën për Kupë dhe paraqitja e mirë ndaj Prishtinës ka kthyer interesimin për hendboll”, ka thënë Taib Kabashi, trajner i KH Trepça.

Te hendbollistet, Istogu, që tradicionalisht ka përkrahjen e shikuesve, po detyrohet që ndeshjet si vendas t’i luajë në Pejë. Palestra në Istog është dëmtuar rëndë.

Kthimi i tifozëve në palestra vlerësohet se e ka bërë shumë më interesante dhe më atraktive garën për titull.