Kosova është përfaqësuesja e vetme që nuk ka pikë të fituar në Grupin B të kualifikimeve për kampionatin botëror të futbollit, “Katari 2020”.
Të mërkurën mbrëma “Dardanët” e humbën edhe ndeshjen e dytë kualifikuese për Botërorin e vitit të ardhshëm. Në Sevilla, Kosova humbi nga Spanja me shifrat 3:1, ndërsa të dielën e kaluar pësoi prej Suedisë në Prishtinë me rezultatin 3:0.
Përveç Spanjës dhe Suedisë, Kosova në grup ka edhe Gjeorgjinë dhe Greqinë. Me këtë të fundit është përballur vitin e kaluar në kuadër të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve. Një ndeshje e barazoi dhe një e humbi përballë grekëve.
Mesfushori kryesor i Përfaqësueses, Hekuran Kryeziu, ishte një prej më të mirëve te Kosova në ndeshjen ndaj Spanjës. Por mesfushori i Zuerichut nuk është i kënaqur me humbjen e dytë të pësuar, ndonëse Kosova përballë në dy ndeshjet e ciklit të dytë kualifikues për botëror kishte dy favoritet e Grupit B, Suedinë dhe Spanjën. Kryeziu ngul këmbë se Kosova nuk do të renditet e fundit në Grupin B.
“Kam besim që ne do të japim gjithçka nga vetja që të marrim maksimumin në këtë grup, pa dashur të bëj llogaritje se sa pikë mund t’i marrim apo si do të përfundojmë. Ato do t’i bëjmë në fund, pasi t’i kemi kompletuar të gjitha ndeshjet e Grupit B. Shpresat të fitojmë ndeshje i kemi gjithnjë para se të futemi në fushë. Asnjëherë nuk jemi futur në ndeshje me qëllim tjetër. Do të futemi edhe në ndeshjet e tjera me të njëjtin qëllim duke filluar që nga takimi i radhës kualifikues kundër Gjeorgjisë”, ka thënë Kryeziu të enjten për KOHËN.
Kosova nuk do të ketë ndeshje kualifikuese deri në shtator. Në shtator do të luajë në udhëtim kundër Gjeorgjisë, ndërsa më pas do t’i presë Greqinë dhe Spanjën. Por para ndeshjeve kualifikuese, Kosova planifikon që pak javë para Kampionatit Evropian, në qershor, të mbajë një kamp dhe të luajë ndeshje miqësore. Ende asgjë konkrete nuk ka, por në Federatën e Futbollit të Kosovës presin që shpejt të gjejnë kundërshtarët për miqësore.
Kryeziu vlerësohet bartës i mesfushës, ndërsa së fundi nuk ka kaluar formë të mirë te klubi i Zuerichut. Ajo në verë pritet të largohet për t’u transferuar te ndonjë skuadër tjetër.
Kryeziu, 28-vjeçar, për Zuerichun këtë edicion ka luajtur 21 ndeshje në të gjitha garat, kurse për Kosovën prej vitit 2016 ka regjistruar 25 paraqitje.
Ai thotë se kur lojtarët janë me fanellë të Kosovës, fokusi është vetëm te paraqitja e tyre, jo edhe kundër kujt luajnë.
“Është e vërtetë që kanë qenë disa lojtarë të klasit të lartë botëror. Për ne gjithnjë preokupimi kryesor është që të paraqitemi sa më mirë për Kosovën, pavarësisht ndaj kujt luajmë dhe ashtu ishte edhe të mërkurën mbrëma”, është shprehur Kryeziu.
Kryeziu pranon se humbja është e dhimbshme, por me paraqitjen thotë se duhet të jenë të kënaqur të gjithë.
“Nuk jemi asnjëherë të kënaqur me humbje, por në të njëjtën kohë duhet të jemi realistë dhe ta kemi parasysh se çfarë ekipi kemi pasur përballë. Nëse e shohim në këtë aspekt, atëherë mund të them se duhet të jemi të kënaqur me atë që kemi treguar në fushë, sidomos sa i përket angazhimit dhe faktit që kemi dhënë maksimumin tonë”, thotë ai.
Kryeziu i fton edhe lojtarët e tjerë që të harrojnë dy humbjet e para dhe të gjejnë motivin për t’u treguar të suksesshëm në ndeshjet e ardhshme.
“Kur luajmë për ekipin kombëtar, presioni është gjithmonë i madh, kurse pa dyshim që motivi më i madh është fakti që luajmë për shtetin tonë, për kombëtaren tonë. Ky është motivi ynë kryesor në çdo ndeshje e ashtu ishte edhe ndaj Spanjës. Nuk do të thosha që ishte e lehtë të luanim përballë një ekipi me karakteristikat e Spanjës, që luan futboll tepër të shpejtë, me shumë kontroll të topit dhe presion të jashtëzakonshëm”.