Qendërmbrojtësi i Kosovës, Mirlind Kryeziu, do të qëndrojë për disa javë jashtë fushës për shkak të lëndimit që pësoi së fundi, ka njoftuar të martën skuadra e Zuerichut.
Mësohet se Kryeziu në ndeshjen kundër Luganos ka pësuar lëndim të muskulit të këmbës dhe nuk do të jetë në gjendje për disa javë t’i ndihmojë ekipit të tij, transmeton “Koha Ditore”. Gjasat janë të mëdha që Kryeziu për shkak të këtij lëndimi ta mos ftohet as nga Përfaqësuesja e Kosovës për ndeshjet eliminatore të “Euro 2020”, që i luan muajin e ardhshëm kundër Çekisë dhe Anglisë.
“Qendërmbrojtësi Mirlind Kryeziu vuan nga një dëmtim muskulor prej ndeshjes me Luganon dhe për këtë arsye do të jetë jashtë fushës për disa javë”, thuhet në njoftimin e Zuerichut.
Kryeziu, 22-vjeçar, këtë edicion ka dhjetë paraqitje te Zuerichu, derisa ende nuk ka debutuar me Kosovën, edhe pse është ftuar rregullisht kohët e fundit nga seleksionuesi Bernard Challandes.