Sport

Kryetari i federatës kosovare suspendohet nga Federata Botërore

Agron Zeqiri

Kryetari i Federatës së Notit të Kosovës, Agron Zeqiri, është suspenduar të enjten nga Federata Ndërkombëtare e Sporteve të Ujit (World Aquatics).

Vendimin për suspendimin e përkohshëm të Zeqirit e mori Njësia për Integritet e Sporteve të Ujit (Aquatics Integrity Unit), që është njësi e pavarur e World Aquatics për ruajtjen e integritetit të sportit.

Po të enjten me vendimin janë njoftuar Agron Zeqiri, Federata e Notit e Kosovës dhe palët tjera të përfshira.

Agron Zeqiri është suspenduar për diskriminim ndaj Adell Shaboviqit, notarit që prezantoi Kosovën në Lojëra Olimpike të këtij viti, por edhe ndaj Hana Beiqit. Edhe Hana garoi në Lojërat Olimpike në Paris.
Federata e Notit e Kosovës ka kundërshtuar fuqishëm paraqitjen e Shaboviqit në Lojëra Olimpike. Por World Aquatics e përzgjodhi atë, pasi kishte më së shumti pikë prej notarëve që prezantojnë Kosovën. Shaboviqi jeton në SHBA, por ka prejardhje nga Peja.

Ndërkohë Hana Beiqi nuk ishte dërguar në dy Botërorët e fundit. Vendimi ishte i Federatës së Notit të Kosovës. Kjo atëbotë e përjashtonte Hanën nga paraqitja me ftesë të universalitetit në Lojërat Olimpike dhe favorizonte vajzën e kryetarit të FNK-së, Zeqiri. Ndërkohë rregulli që kërkonte paraqitjen në njërin prej dy botërorëve të fundit u hoq dhe Beiqi u përzgjodh për Olimpiadë.

Vendimi ndaj Zeqirit është i gjatë, ndërsa është i mbushur me dokumente e dëshmi.

“Shefi i Etikës dhe Pajtueshmërisë i Njësisë së Integritetit të Sporteve të Ujit (CECO), pas shqyrtimit dhe analizës së gjithë dokumentacionit përkatës, ka vendosur për pezullim të përkohshëm ndaj jush, duke qenë se besimi i publikut në intergritetin e sporteve të ujit është në rrezik. Ky pezullim i përkohshëm hyn në fuqi nga sot dhe ua ndalon të merrni pjesë në çdo aktivitet të lidhur me sportet e ujit, në emër të World Aquatics, apo të organizatës kontinentale dhe anëtarit të World Aquatics apo një organi të njohur”, thuhet në vendimin për Agron Zeqirin.

Organi që mori vendimin ka akuzuar zyrtarisht Zeqirin për disa shkelje, për të cilat masat janë nga qortimi e deri te përjashtimi i përjetshëm.

Njësiti për integritet i sporteve të ujit, që mori vendimin për suspendim, ka propozuar që dënimi ndaj kryetarit të Federatës së Notit të Kosovës të jetë pezullim katërvjeçar nga të gjitha aktivitetet e notit dhe gjobë  prej 25 mijë dollarëve.

Ky propozim në fakt do të shndërrohet në vendim nëse Zeqiri nuk përgjigjet deri më 20 shtator. I pari i FNK-së mund të pranojë akuzën dhe sanksionet, apo të pranojë akuzën dhe të kundërshtojë dënimin. Në këtë rast vendimin e merr një organ gjyqësor. Po ashtu Zeqiri mund të mohojë akuzat dhe në një rast të tillë vendimi i takon organit gjyqësor.

“Në rast se nuk përgjigjeni brenda afatit të caktuar do të konsiderohet se keni pranuar dënimin dhe sanksionet do të zbatohen”, shkruan në fund të letrës të cilën e ka firmosur Marc Cavaliero, shef i Etikës dhe Pajtueshmërisë në Njësinë e Integritetit të Sporteve të Ujit.

Federata e Notit e  Kosovës kishte akuzuar edhe Federatën Botërore në disa raste. Ka pasur pakënaqësi të shumta edhe ndaj Komitetit Olimpik të Kosovës.

Megjithatë Shaboviq e Beiqi u paraqitën në Lojëra Olimpike dhe tani u mor edhe vendimi për suspendim të kryetarit të FNK-së.

Dokumenti i plotë (anglisht).pdf