Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kriza e koronavirusit do të lë gjurmë edhe në tregun e lojtarëve

Foto: Reuters

Me futbollin të ndaluar shkaku i koronavirusit, spekulimet e zakonshme për transferime po ashtu janë heshtur. Më asnjërit nuk po i intereson se ku do të luajë Neymari apo Paul Pogba stinorin e ardhshëm, shkruan agjencia “AFP” transmeton Koha.net.

Asnjëri nuk e di madje se kur do të jetë stinori i ardhshëm, e as për efektet financiare në klubet e futbollit që do të ketë pandemia. Por, pritet të vërehet efekti në tregun e lojtarëve.

Një studim i KPMG-s këtë javë ka llogaritur se anulimi i pjesës së mbetur të stinorit do t’i kushtojë klubeve të pesë ligave më të mëdha të Evropës një humbje në të hyra prej afro katër miliardë euro.

Efekti do të jetë shumë i madh, e po ashtu do të pësojnë rëndë edhe klubet e vogla nëpër botë.

Mbi të gjitha, shikoni klubet si rasti i Monacos, që ka fituar shuma të mëdha në vitet e fundit nga shitja e lojtarëve. Kylian Mbappe iu bashkua Paris Saint-Germainit nga Monaco për 180 milionë euro në verën e vitit 2018. Monaco ka investuar më tepër para në lojtarë të rinj me shpresë që do t’i shesë ata dukshëm më shtrenjtë.

“Duke e marrë parasysh situatën ndërkombëtare, klubet do të jenë më pak të prirura për të paguar shuma që kërkojmë ne”, ka pranuar zëvendëspresidenti i Monacos, Oleg Petrov.

Edhe Mbappe kthehet në stërvitje dhe mund ta vazhdojë kontratën Sport Mbappe kthehet në stërvitje dhe mund ta vazhdojë kontratën

Mirëpo, ka shqetësim dukshëm më të madh sesa destinacioni i ardhshëm i Mbappes, Neymarit apo Pogbas.

Çfarë ndodh me kontratat e lojtarëve?

Përkushtimi i UEFA-s për të mbyllur stinorin në Evropë deri më 30 qershor ishte pjesërisht për shkak të praktikës së zakonshme se kontratat e lojtarëve skadojnë në atë datë.

Lojtarët si David Silva i Manchester Cityt, Willian i Chelseat apo dyshja e Paris Saint-Germainit, Thiago Silva e Edinson Cavani, do të jenë të lirë më 1 korrik edhe nëse stinori nuk përfundon në atë datë.

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) ka caktuar një grup punues për të përshtatur rregulloret për transfere dhe për të bërë ndryshime që të mbrohen kontratat si për lojtarët ashtu edhe për klubet.

Mirëpo, klubet po marrin tashmë masa drastike për t’i shpëtuar katastrofës financiare.

Edhe Sulmuesit që do ta bëjnë edhe më të nxehtë verën e futbollit Sport Sulmuesit që do ta bëjnë edhe më të nxehtë verën e futbollit

Klubet franceze, përfshirë Lyoni, kanë vendosur lojtarët në punë me orar të shkurtuar për të kursyer para. Klubi zviceran Sion ka anuluar kontratat e nëntë lojtarëve, përfshirë këtu edhe të Pajtim Kasamit e Ermir Lenjanit, pasi ata refuzuan që përkohësisht të mos paguheshin.

Në Skoci nuk është e pazakontë që kontratat e lojtarëve të skadojnë menjëherë pas ndeshjes së fundit të stinorit në maj. Për çdo rast, klubi Hearts i ka kërkuar lojtarëve dhe stafit të pranojnë një ulje page prej 50 për qind.

Ndërkohë, problem është edhe me futbollistët e rinj që janë pa kontrata, thotë David Venditelli, një agjent francez, kompania e të cilit Score, në mesin e klienëteve e ka edhe sulmuesin e Arsenalit, Alexandre Lacazette.

“Këta lojtarë janë në rrezikun më të madh”, thotë Venditelli.

Më tepër lojtarë të rinj pritet të ketë në treg, por yjet e mëdhenj të Ligës së Kampionëve vështirë se do të preken.

Super-agjentët do të vazhdojnë të luajnë lojën e tyre. Një nga ta është Mino Raiola, që klient ka emrat si Paul Pogba e po ashtu Erling Braut Haalandin e Borussia Dortmundit.

Edhe PSG-ja ia cakton çmimin Mbappes Sport PSG-ja ia cakton çmimin Mbappes

Raiola i ka thënë gazetës spanjolle “Marca” këtë javë se shpreson që një ditë të transferojë një lojtar të madh te Real Madridi dhe shpreson të bëjë këtë në verë të këtij viti.

Në vendet tjera dinamika në treg mund të ndryshojë.

“Njerëzit do të kërkojnë lojtarë të lirë. Klubet do të jenë në ankth dhe do të vendosin të shesin lojtarët. Kështu që klubet e mëdha do të shikojnë të blejnë lojtarët e këtyre klubeve me çmime të volitshme”, ka thënë një agjent me njohuri në tregun britanik.

Mirëpo, realiteti është se asgjë nuk po ndodh tash.

“Asnjëri nuk dëshiron të përfshihet në gjëra të tilla tash. Puna jonë primare në këtë moment është që të sigurohemi që gjithë stafi të jenë mirë. Ne të gjithë kemi problemet e njëjta, me paqartësi dhe gjëra të tilla. Nuk po mendojmë për verë apo për transferime, pasi nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo situatë”, ka thënë agjenti Jonathan Barnett, agjent i yllit të Real Madridit, Gareth Bale.