Presidenti i Federatës së Futbollit të Francës (FFF), Noel Le Graet, u sulmua të hënën dhe u detyrua të kërkonte falje për ato që i quajti “vërejtjet e tij të ngathëta” në lidhje me interesin e mundshëm të Zinedine Zidanet për të drejtuar përfaqësuesen franceze.
Le Graet kishte thënë me shaka në një intervistë për radiostacionin francez “RMC” të dielën se ai “nuk do ta kishte pranuar as thirrjen e tij në telefon” kur u pyet nëse Zidane i kishte telefonuar për të shprehur interesimin për të marrë drejtimin e ekipit nga trajneri Didier Deschamps.
Kjo ngjalli kritika nga ylli i Francës dhe Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe, i cili tha se Le Graet kishte treguar “mungesë respekti” me komentet e tij.
Real Madridi, ku Zidane shijoi suksese të mëdha si lojtar dhe trajner, gjithashtu sulmoi Le Graetin, ndërsa ministrja franceze e sporteve, Amelie Oudea-Castera u përfshi në çështje duke insistuar se Le Graet duhet të kërkojë falje.
Kreu 81-vjeçar i FFF-së kërkoi falje siç duhet të hënën, pas këtyre reagimeve.
“Dëshiroj të kërkoj falje për këto komente, të cilat absolutisht nuk pasqyrojnë pikëpamjet e mia, as konsideratën time për lojtarin që ishte dhe trajnerin që ai është bërë. Kam dhënë një intervistë për RMC që nuk duhej ta kisha dhënë, sepse po kërkonin polemika duke kundërshtuar Didierin dhe Zidanen, dy të mëdhenjtë e futbollit francez. E pranoj se kam bërë disa komente të ngathëta që kanë krijuar një keqkuptim”, ka thënë Le Graet.
Kontrata e Deschampsit skadoi pas Kupës së Botës në Katar, ku kampionia e kaluar e botës, Franca, humbi nga Argjentina me penallti në finalen e 18 dhjetorit në Katar. Megjithatë, Deschamps – i cili mori drejtimin në vitin 2012 – të shtunën nënshkroi marrëveshje të re për të qëndruar në post deri në Kupën e Botës 2026. Kjo do të thotë se ish-trajneri i Real Madridit, Zidane, i cili thuhet se kishte treguar interes për të pasuar Deschampsin, do të duhet të presë për shansin e tij.
I pyetur nëse Zidane, i cili fitoi Kupën e Botës 1998 si lojtar së bashku me Deschampsin dhe ishte nënkampion në vitin 2006, e kishte thirrur atë ditët e fundit, Le Graet hodhi poshtë çdo mundësi.
“Unë as nuk do ta kisha pranuar thirrjen e tij”, tha Le Graet në intervistën për të cilën u kritikua. “Për t'i thënë atij çfarë? ‘Përshëndetje zotëri. Mos u shqetësoni. Kërkoni për një klub tjetër. Sapo rashë dakord për një kontratë me Didierin’”.
Le Graet gjithashtu iu përgjigj shkurt raporteve për interesimin e Zidanet për të drejtuar Përfaqësuesen e Brazilit.
“Do të habitesha nëse ai do të largohej atje”, tha ai. “I takon atij se çfarë bën. Nuk është puna ime. Nuk e kam takuar kurrë dhe nuk e kemi menduar kurrë ndarjen me Didier Deschampsin. Ai mund të shkojë ku të dojë, në një klub. Ai do të ketë sa të dojë klube në Evropë, por për mendimin tim nuk është i besueshëm për përfaqësuese”.
Zidane u largua nga Reali në vitin 2021, pasi kishte fituar dy tituj të La Ligës dhe tre trofe radhazi të Ligës së Kampionëve si trajner i gjigantit spanjoll.
“Këto komente tregojnë mungesë respekti për një nga figurat më të admiruara nga tifozët e futbollit në mbarë botën dhe klubi ynë është në pritje të një korrigjimi të menjëhershëm”, tha Reali në një deklaratë.
Përgatitja e Francës në Kupën e Botës në Katar u dëmtua nga akuzat e bëra kundër presidentit Le Graet se ai kishte keqtrajtuar punonjësit e federatës. Akuzat u shfaqën në revistën “SoFoot”, me një person që thoshte se presidenti u kishte dërguar mesazhe me tekst të një natyre të çuditshme punonjëseve. Le Graet i mohoi ato akuza, dhe FFF-ja nisi veprime ligjore kundër revistës.
Megjithatë, qeveria nisi një auditim të federatës dhe Le Graet do të marrë pjesë në një seancë dëgjimore të martën, ku ai pritet t'i përgjigjet pyetjeve në lidhje me praktikat e menaxhimit në organizatën me bazë në Paris.
Le Graet u zgjodh president i federatës në vitin 2011 dhe udhëhoqi një ringjallje të reputacionit të përfaqësueses franceze pas kampanjës katastrofale në Kupën e Botës 2010 në Afrikën e Jugut, kur u eliminuan në fazën e grupeve. Mandati i tij aktual do të përfundojë në vitin 2024, por tani mund të jetë nën presion për të dhënë dorëheqjen më shpejt.