Mbrojtësi Jules Kounde ka gjasa të mëdha që mos të jetë pjesë e Barcelonës edicionin e ardhshëm. “Mundo Deportivo” ka njoftuar të martën se francezi ka kërkuar largimin nga Barça pas vetëm një edicioni në “Camp Nou”.
Mësohet se Kounde nuk është i kënaqur me pozitën e mbrojtësit të djathtë, në të cilin ka luajtur këtë edicion dhe tashmë e ka njoftuar edhe trajnerin Xavi Hernandez.
Ai nuk dëshiron të luajë si mbrojtës krahu, pasi roli i tij është në qendër të mbrojtjes dhe për këtë arsye është në pritje të ofertave nga skuadrat tjera. Mësohet se interesimi nuk mungon për Kounden, i cili pritet të transferohet në Angli.
24-vjeçari iu bashkua Barcelonës vitin e shkuar nga Sevilla dhe ka kontratë deri në verën e vitit 2027.
Këtë edicion, në 38 paraqitje, Kounde ka kontribuar me 1 gol e 6 asistime.