Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova zhvillon stërvitje pa Vojvodën e Zhegrovën

Futbollistët e Kosovës kanë mbajtur stërvitjen e dytë nën urdhrat e selektorit Primozh Gliha. Në fakt, kjo ishte stërvitja e parë intensive para ndeshjes me Andorrën, pasi të hënën Gliha ka mbajtur një stërvitje më shumë rigjeneruese.

Në stërvitjen e së martës, të mbajtur po ashtu në kampin nacional të FFK-së në Hajvali, të pranishëm ishin të gjithë futbollistët, me përjashtim të Mërgim Vojvodës e Edon Zhegrovës. Vojvoda ende nuk i është bashkuar ekipit në grumbullim pasi është ftuar pas mungesave të shumta të “Dardanëve” që do t’i kenë për duelin me Andorrën.

Image

Ndërkohë, sa i përket Zhegrovës, ende nuk dihet nëse do të jetë në dispozicion për këtë ndeshje për shkak të një lëndimi që e ka pësuar në duelin e fundit me Lillen.

Te Kosova janë në pritje të një raporti mjekësor për Zhegrovën për të parë nëse do të mund t’i bashkohet ekipit apo do të mbetet në Francë. Stërvitja e së martës është edhe e fundit në Kosovë, pasi “Dardanët” të mërkurën do të marrin rrugën drejt Andorrës, ku të mërkurën do ta zhvillojnë ndeshjen kualifikuese për “Euro 2024” në kuadër të Grupit I, e cila nis në orën 20:45.

Image

Disponimi brenda ekipit dukej i mirë dhe asnjëri prej futbollistëve nuk është ankuar në ndonjë lëndim apo shqetësim. I pranishëm ishte edhe sulmuesi Vedat Muriqi, i cili nuk do të jetë në dispozicion të selektorit Gliha për duelin me Andorrën shkaku i suspendimit.

Image

Kosova do të ketë mungesa të mëdha për këtë ndeshje, pasi krahas Amir Rrahmanit mungojnë edhe Ismajl Beka, Leart Paqarada e Shkëlqim Vladi, të gjithë të lënduar. Kosova është në kërkim të fitores së parë në këtë cikël eliminator pasi deri më tani ka regjistruar katër barazime dhe dy humbje në gjashtë ndeshje të zhvilluara. Zë vendin e parafundit në tabelë me katër pikë, dy më shumë se Andorra që është e fundit.