Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova sonte synon fitoren e parë

Përfaqësuesja e Kosovës synon fitoren e parë në ciklin aktual kualifikues për “Euro 2024”. Dueli Andorrë – Kosovë zhvillohet sonte prej orës 20:45 dhe i takon Grupit I kualifikues.

Kosova ende nuk ka fitore në këtë cikël eliminator dhe drejt Andorrës ka udhëtuar me synimin për trepikëshin e parë. Është e parafundit në grup me 4 pikë, dy më shumë se Andorra që renditet e fundit. Dueli i parë, i luajtur në muajin mars në Prishtinë, ka përfunduar 1:1.

Kosova në këtë ndeshje do të ketë mungesa të shumta. Kapiteni Amir Rrahmani mungon për shkak të lëndimit, ndërsa të lënduar janë edhe Ismajl Beka, Leart Paqarada e Shkëlqim Vladi. Edon Zhegrova nuk është bashkuar me ekipin as në Andorrë. Listës me vonesë i është shtuar Mërgim Vojvoda, i cili ka udhëtuar me ekipin dhe pritet të jetë i gatshëm për lojë. Sulmit të Kosovës ndaj Andorrës do t’i prijë Albion Rrahmani. Rrahmani është sulmuesi i vetëm në dispozicion të Glihas, pasi Vedat Muriqi mungon shkaku i suspendimit.

Lumbardh Dellova e Qëndrim Zyba të Ballkanit, si dhe Ilir Krasniqi i Llapit mund ta kenë rastin të paraqiten me fanellën e Kosovës në këtë ndeshje kualifikuese.