Sport

Kosova U21 shpreson në rezultat pozitiv ndaj Gjermanisë

Te Përfaqësuesja U21 e Kosovës në futboll pranojnë forcën e Gjermanisë. Por në fushë, të martën mbrëma, nuk do të hyjnë me flamur të bardhë. Ndeshja në mes të Shpresave të Kosovës dhe atyre të Gjermanisë luhet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri”. Dueli, që nis në orën 19:00, i takon Grupit D të kualifikimeve për “Euro 2025”.

Përzgjedhësi i Kosovës U21, Afrim Tovërlani, pret mbështetje maksimale nga tribunat për t’i bërë ballë gjigantes, Gjermanisë. Ai ka theksuar se ndaj Gjermanisë do të ishte i mirëseardhur edhe një barazim.

“Para se të zhvillohet ndeshja është vështirë të thuash se me çfarë rezultati do të ishe i kënaqur, sepse nuk e di si do të jetë rrjedha. Nëse flasim për Gjermaninë, atëherë na konvenon edhe një barazim pasi i kemi tri pikë dhe si grup do të luftojmë për të marrë sa më shumë pikë. Nëse nuk arrijmë diçka të paktën ta përmirësojmë gjendjen në vazo”, ka thënë Tovërlani për KOHËN, të hënën.

Kosova U21 tri ditë më parë pësoi humbje të thellë ndaj kundërshtares tjetër në grup, Polonisë. Humbi 3:0 në udhëtim.

“Ne trajnerët shpesh e përmendim që nga katër gjuajtje, tri i realizuan. Ishin 99 % të saktë, kurse ne me shumë aksione dhe mundësi nuk realizuam. Gjermania është diçka tjetër. Do t'i qasemi lojës ndryshe prej asaj që e kemi zhvilluar ndaj Polonisë. U kemi dhënë shumë informata lojtarëve dhe do ta shohim si do të kalojmë”, ka thënë Tovërlani.

Gjermania ende nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje.

Kosova nga dy ndeshje ka fituar tri pikë. E pati mposhtur Estoninë në qershor me shifrat 2:0, në ndeshjen e parë të grupit.

“Vetë emri Gjermani është diçka që i motivon futbollistët. Po vjen favoritja e grupit, e cila është favorite edhe pse sa i përket forcës afërsisht njëjtë janë edhe Polonia dhe Izraeli”, është shprehur ish-trajneri i disa skuadrave në Kosovë.

Gjermania në përfaqësuese ka lojtarë që në skuadra të ndryshme gjermane kanë peshë të madhe. Ndër lojtarët më të njohur është sulmues i Borussia Dortmundit, Youssoufa Moukoko. Ai ka luajtur tri ndeshje për Dortmundin në edicionin aktual.

Gjermania e ka fituar tri herë Evropianin për grupmoshën deri 21 vjeç. Së fundi në vitin 2021, ndërsa më herët në vitet 2009 dhe 2017.

“Besoj që djemtë do të kenë paraqitje të mirë. Nuk do të hyj në thellësi të analizës, por ua kemi dëshmuar se ku e kanë rrezikun më të madh, si mbrohen, si sulmojnë. Na mbetet të kemi fat, pasi nganjëherë është edhe fati pjesë e lojës”, ka theksuar Tovërlani.

Tekniku prishtinas thotë se shikuesit do të kenë rol të madh në paraqitjen e lojtarëve.

“Tifozët e përmbushin futbollistin dhe presim përkrahje të madhe, pasi disa prej tyre do të jenë shpejt edhe te përfaqësuesja A. U duhet përkrahja”.

Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë thirrje për përkrahje masive nga shikuesit në tribuna. Biletat për këtë ndeshje janë duke u shitur “online”. Biletat kushtojnë tri, tetë dhe 30 euro.