Kosova U19 ka pësuar humbje në ndeshjen e dytë të raundit elitar për kualifikim në Kampionatin Evropian të këtij viti që do të organizohet në Irlandën e Veriut.
“Dardanët” e rinj të drejtuar nga përzgjedhësi Adil Maliqi, humbën 2:1 në ndeshjen që u zhvillua në Gornja Radgona të Sllovenisë, që është nikoqire e Grupit 1.
Ishte ndeshja e dytë e kësaj faze të garës, por Kosova ende ka gjasa për t’u kualifikuar në turneun final në Irlandën e Veriut prej 15 deri më 28 korrik.
Futbollistët e rinj të Kosovës e nisën mirë ndeshjen duke rrezikuar me Elvir Gashijanin. Por të parët që u gëzuan ishin spanjollët që shënuan në minutën e 34-t me Daniel Munozin, futbollistin e Atletico Madridit. Në fundin e pjesës së parë mundësinë më të mirë e pati Igball Jashari, por portieri kundërshtar e devijoi topin në këndore.
Merita që Kosova U19 nuk pranoi gola më shumë në pjesën e parë pati portieri Erion Avdija që bëri disa ndërhyrje të sakta.
Spanja U19 vazhdoi me lojë të mirë në pjesën e dytë dhe e shënoi edhe golin për 2:0.
Realizator ishte Pol Fortuny në minutën e 51-të. Fortuny është anëtar i Akademisë së Real Madridit.
Kosova u kthye në lojë me golin e sulmuesit të të rinjve të Stuttgartit, Eliot Bujupi.
Bujupi në fakt shënoi supergol nga gjuajtja e lirë në minutën e 71-të.
“Dardanët” u munduan që deri në fund ta gjejnë golin e barazimit, megjithatë, nuk ia arritën një gjëje të tillë.
Kosova U19 pavarësisht disfatës nga spanjollet, ka ende gjasa për kualifikim tutje.
Kosova në ndeshjen e parë ditë më parë fitoi ndaj Austrisë me rezultatin 1:0, kurse Spanja barazoi me Slloveninë, 1:1.
Po të shtunën, Austria mposhti Slloveninë nikoqire me rezultatin 2:0.
Me këto rezultate, Spanja U19 i prinë Grupit 1 me katër pikë. Kosova e drejtuar nga selektori Maliqi ka tri pikë në vendin e dytë, aq sa ka edhe Austria në pozitën e tretë.
Sllovenia mbetet e fundit në grup me një pikë.
Më 26 mars, Kosova e luan ndeshjen e fundit kundër Sllovenisë, derisa Spanja ballafaqohet me Austrinë. Rezultati nga ndeshjet direkte përcaktojnë renditjen në tabelë.
Kosova U19 po humb nga Spanja pas pjesës së parë
Përfaqësuesja U19 e Kosovës është duke humbur 1:0 nga Përfaqësuesja e Spanjës pas pjesës së parë, në ndeshjen që po luhet në Gornja Radgona të Sllovenisë.
Është ndeshja e dytë e Grupit 1 të raundit elitar për kualifikim në Kampionatin Evropian që në këtë verë organizohet në Irlandën e Veriut.
Golin për spanjollët e shënoi futbollisti i Atletico Madridit, Daniel Munoz, në minutën e 34-t.
Ai shënoi pas një aksioni shumë mirë të ndërtuar.
Kosova doli rrezikshëm në 2-3 raste me Elvir Gashijanin, ndërsa gjuajtjen më të rrezikshme në drejtim të portës kundërshtare e bëri Igball Jashari kah fundi i pjesës së parë.
Po ashtu, merita që Kosova nuk pranoi më shumë gola pati portieri Erion Avdija.
Ditë më parë në ballafaqimin e parë, Kosova U19 fitoi ndaj Austrisë U19, 1:0.