Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kosova U17 mposhtet 4:0 nga Islanda, renditet e fundit në grup

Futbollistet e Kosovës U17 e kanë humbur edhe ndeshjen e tretë në kuadër të raundit të dytë të kualifikimeve për Euro 2024.

Kosova U17 garoi në Grupin 2 të Ligës A, ndërsa të martën mbrëma humbi me rezultat të thellë, 4:0, nga Islanda.

Ndeshjet e Grupit A2 janë zhvilluar në Queluz të Portugalisë. Kosova e pësoi golin e parë në minutën e 11-të, ndërsa tre golat e tjerë i pësoi në minutën 59, 76 e 87.

Futbollistet e reja të Kosovës i kishin katër raste gjithsej, ndërsa islandezet plot 16. Kosova i përfundoi kualifikimet në pozitën e fundit në grup, pa pikë të grumbulluar.

Grupin e fitoi Portugalia me nëntë pikë, Finlanda ishte e dyta me gjashtë pikë, ndërsa Islanda ishte e treta me tri pikë. Portugalia u kualifikua në Evropian.

Në ndeshjen e parë, më 21 shkurt, Kosova kishte pësuar 5:0 nga Finlanda. Më 24 shkurt, Kosova U17 humbi 1:0 nga Portugalia.

Si e fundit në grup, Kosova do të kthehet në Ligën B për kualifikimet e ardhshme.

Në tetor të vitit të kaluar, Kosova U17 kishte fituar grupin në Ligën B në kuadër të raundit të parë të kualifikimeve.

Kështu avancoi në Ligën A për raundin e dytë. Por Liga A doli të jetë nivel i papërballueshëm për futbollistet e Kosovës U17.

Artikuj të ngjashëm